Prishtinë, 9 qershor 2025 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vendosur që zgjedhjet e rregullta lokale në Kosovë të mbahen më 12 tetor 2025.
Zyra e Presidentes njofton se ky vendim është marrë pas shqyrtimit të kujdesshëm të propozimeve të subjekteve politike dhe një analize të plotë, në përputhje me afatet kushtetuese dhe ligjore.
“Caktimi i kësaj date synon të mundësojë përgatitje të plotë të procesit zgjedhor nga institucionet përgjegjëse, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe institucionet e tjera relevante, me qëllim të respektimit të standardeve më të larta të administrimit zgjedhor. Kjo datë siguron hapësirën e nevojshme për organizimin teknik dhe logjistik për të gjitha format dhe procedurat e votimit sipas përcaktimit ligjor”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidentes Osmani.
Në njoftim thuhet se Presidentja Osmani “u ka bërë thirrje të gjitha subjekteve politike, organizatave të shoqërisë civile dhe qytetarëve që t’i qasen këtij procesi me përgjegjësi të plotë në funksion të garantimit të një procesi gjithëpërfshirës, të rregullt dhe të drejtë”.
Para se të caktonte datën e zgjedhjeve lokale, Presidentja Osmani është konsultuar me të gjitha partitë politike parlamentare në Kosovë. Liderët apo përfaqësuesit e subjekteve politike, në takimin konsultativ me presidenten Osmani, kishin propozuat tri data të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve të rregulla lokale: 5 tetori, 12 tetori dhe 19 tetori.
(r.m.)