Zgjedhjet e së martës në SHBA: Demokratët arritën fitore të rëndësishme në disa shtete

Uashington, 8 nëntor 2023 – Demokratët arritën të sigurojnë disa fitore të rëndësishme në zgjedhjet e së martës në nivel shtetëror. Në Ohajo një nga çështjet në fletët e votimit ishte dhe ajo e abortit kur zgjedhësit votuan në shumicë për të ndryshuar ligjin e shtetit, duke rivendosur të drejtën për abort. Duket se çështja e abortit ka ndikuar edhe për fitore të tjera të demokratëve, si në Virxhinia ashtu dhe në Kentaki. Zgjedhjet e së martës ofrojnë një pamje të asaj se si mund të dukej terreni politik amerikan përpara garës presidenciale të vitit 2024.

Ndërsa Shtetet e Bashkuara ndodhen vetëm një vit larg zgjedhjeve të ardhshme presidenciale, demokratët dhe mbrojtësit e të drejtave të abortit siguruan një sërë fitoresh në zgjedhjet e së martës në disa shtete.

Votuesit e Ohajos miratuan një amendament në ligjin themelor të shtetit që garanton qasjen tek aborti dhe tek forma të tjera të kujdesit shëndetësor riprodhues.

“Aborti është kujdes shëndetësor dhe qasja tek aborti është një e drejtë që garantohet nga ligji themelor i Ohajos. Sonte banorët e këtij shteti u bashkuan për të drejtat riprodhuese dhe vendosën veten e tyre sërish në krye të vendimeve për shtatzëninë dhe abortin”, tha Lauren Blauvelt, Drejtore Ekzekutive e Organizatës për Planifikim Familjar në Ohajo.

Ky zhvillim vjen pas vendimit të vitit të kaluar të Gjykatës së Lartë të vendit, që rrëzoi një vendim të vitit 1972, njohur si çështja “Roe kundër Wade’, e cila kishte ofruar për dekada mbrojtje kushtetuese të së drejtës për abort.

Me hyrjen në fuqi të vendimit të Gjykatës së Lartë, Ohajo ishte një prej disa shteteve ku aborti u ndalua me ligj.

Të martën në shtetin e Kentakit, Guvernatori demokrat Andy Beshear u rizgjodh sërish në këtë detyrë falë një fushate përqendruar tek e drejta për abort, pas një ndalimi pothuajse total në nivel shtetëror të abortit.

Votuesit në shtetin e Virxhinias u dhanë një goditje shpresave të Guvernatorit republikan Glen Youngkin për të vënë organin legjislativ shtetëror nën kontrollin e partisë së tij.

Demokratët ruajtën shumicën e brishtë në Senatin e shtetit ndërsa rimorën shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve. Zoti Youngkin ka propozuar vendosjen e një ndalimi 15-javor të abortit në Virxhinia, përjashtuar rastet e përdhunimit, incestit ose kur jeta e nënës është në rrezik. Marrja e kontrollit të organit legjislativ nga demokratët u jep atyre mundësi që t’i bllokojnë këto përpjekje.

(Zëri i Amerikës)