Zgjedhjet lokale në Kosovë duket se nuk sollën ndonjë ndryshim

Prishtinë, 12 tetor 2025 – Të dielën në Kosovë u mbajtën zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe për anëtarë të kuvendeve komunale.

Pak pas orës 19:00, kur u mbyllën vendvotimet, subjektet që morën pjesë në këto zgjedhje i publikuan rezultatet jozyrtare të këtyre zgjedhjeve, bazuar në komisionerët e tyre në vendvotime.

Sipas këtyre rezultateve, këto zgjedhje nuk sollën ndonjë ndryshim domethënës nga ato të zgjedhjeve të para katër vjetëve. Pothuaj të gjitha subjektet politike që e kishin pushtetin deri më sot do të qeverisin edhe në mandatin e ardhshëm katërvjeçar ose do të matin forcën edhe një herë, në balotazh.

Zgjedhjet në komunat më të mëdha të Kosovës nuk dhanë fitues. Në këto komuna do të garojnë në balotazh kandidatët e katër forcave politike kryesore: Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Sipas rezultateve jozyrtare, të cilat duken pothuaj identike me rezultatet zyrtare që vazhdojnë të publikohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, fitues të padiskutueshëm të zgedhjeve do të jenë tre kandidatë të LVV-së: (Shpejtim Bulliqi në Podujevë, Kadri Rahimaj në Kamenicë dhe Qemajl Aliu në Shtime).

 Kandidatët e PDK-së kanë fituar po ashtu në tri komuna (Agim Aliu në Ferizaj, Sami Lushtaku në Skënderaj dhe Mehmet Ballazhi në Han të Elezit). Nga kandidatët e LDK-së u shpallën fitues vetëm dy (Imri Ahmeti në Lipjan dhe Ilir Ferati në Istog), kurse nga kandadët e AAK-së doli fitues i qartë vetëm njëri (Bashkim Ramosaj në Deçan).

Fitues të qartë dolën edhe një kandidat i Nismës (Ekrem Kastrati në Malishevë), kandidati i listës PDKRLL (Ramiz Lladrovci në Drenas) dhe kandidati i KDTP-së (Abdylhadi Krasniqi në Mamushë).

Në të gjitha komunat tjera, me përjashtim të komunave të banuara me shumicë serbe, do të ketë balotazh, në të cilin do të përballen kryesisht kandidatët e LVV-së, PDK-së, LDK-së dhe AAK-së. Këto katër subjekte politike do të vazhdojnë luftën për vazhdimin e qeverisjes sidomos në qytetet më të mëdha të vendit. Në Prishtinë do të ketë balotazh mes LDK-së (Përpartim Rama) dhe LVV-së (Hajrullah Çeko), në Prizren – mes PDK-së (Shaqir Totaj) dhe LVV-së (Artan Abrashi), në Pejë – mes LDK-së (Gazmend Muhaxheri) dhe LVV-së (Taulant Kelmendi), në Gjakovë –mes AAK-së (Ardian Gjini) dhe LVV-së (Ardian Gola), në Mitrovicë Jugore – mes PDK-së (Arian Tahiri) dhe LVV-së (Faton Peci), dhe në Gjilan – mes LVV-së (Alban Hyseni) dhe LDK-së (Arbër Ismajli).

LVV, PDK, LDK dhe AAK do të përballen edhe një herë edhe në komunat tjera ku do të ketë balotazh.

Ndryshe nga subjektet politike shqiptare, arsye për të festuar ka Lista Serbe. Kandidatët e kësaj partie që kontrollohet nga Beogradi dolën fitues të qartë në nëntë nga gjithsej dhjetë komunat e Kosovës të banuara me shumicë serbe. Balotazh do të ketë vetëm në komunën e Kllokotit, ku do të përballen kandidati i Listës Serbe dhe ai i Bashkimit Popullor Serb.

Në qoftë se rezultatet jozyrtare të këtyre zgjedhjeve konfirmohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, asnjëra prej partive politike nuk ka arsye të mburret. Megjithatë, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja u shprehën të kënaqura publikisht. Të tria folën për “fitore” ose për “rritje” të numrit të votave në nivel vendi ose në komuna të veçanta. Ato i përdorën rreth 80 mijë vota të dërguara me postë si si “kartë rezervë” për balotazhin në komunat ku dallimi mes rivalëve në balotazh do të jetë i vogël.

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, tha se të hënën do të nisë numërimi i votave për kuvendet komunale, e pastaj do të vazhdojë numërimi I votave të dërguara me postë, votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta.

Ai tha se beson që procesi i numërimit të votave do të përmbyllet brenda javës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se në këto zgjedhje votuan 39.07 për qind të qytetarëve me të drejtë vote.

Institucionet competente për mbikëqyrjen e procesit të zgjedhjeve thanë se votimi u zhvillua pa ndonjë incident apo ndonjë parregullsi serioze. Sidoqoftë, subjektet politike kanë 48 orë afat për parashtrimin e ankesave eventuale.

(r.m.)