Zgjedhjet lokale në Shqipëri: PS forcë e parë edhe në këshillat bashkiakë

Tiranë, 16 maj 2023 – Në Shqipëri partia socialiste rezulton të jetë forca e parë në pjesën dërrmuese të Këshillave bashkiakë, ndërsa vijon ende numërimi i fletëve të votimit. Socialistët kanë marrë përqindjen më të lartë të votave dhe në 5 nga 7 bashkitë e fituara nga kandidatët e opozitës, madje në Himarë dhe Kavajë ata kanë siguruar dhe kontrollin e Këshillit bashkiak.

Ndërsa në Mirditë e Fushë Arrëz, kryeson Partia SocialDemokrate e Tom Doshit. Votat e kësaj force duket se do të jenë përcaktuese që Partia socialiste, ndonëse kryeson me vota, të ruajë dhe kontrollin e Këshillit Bashkiak në Shkodër. Drejt së njejtës situatë duket se po shkohet dhe në Lezhë, ku u rikonfimua kryebashkiaku Pjerin Ndreu.

Në pjesën tjetër të vendit, pothuajse në të gjitha qytetet e mëdha Partia socialiste ka e vetme shumicën e këshillave. Në Tiranë, këshili po ashtu duket se do të jetë nën kontrollin e saj, me 33 nga 61 vende, të siguara deri në orën 18:00, kur ishin numëruar më shumë se 75 përqind e kutive.

Kryebashkiaku Erion Veliaj arriti një fitore shumë të thellë, me një diferencë prej 58 mijë votash, ndaj rivalit kryesor Belind Këlliçi. Nëse krahasojmë të dhënat e viti 2015, zoti Veliaj rezulton të ketë ruajtur gati të njejtin numër votash, ndonëse garon për mandatin e tretë. Zoti Këlliçi, në të kundërt, është poshtë votave që mori në atë kohë kandidati demokrat Halim Kosova, kur LSI (tani PL) ishte në aleancë me socialistët, ndërsa në këto zgjedhje ishte në koalicion me ish kryeministrin Sali Berisha.

Megjithatë zoti Këlliçi, ju bashkua sot linjës së mbajtur nga zoti Berisha, duke folur dhe ai për një rezultat që siç pretendon, nuk është shprehje e vullnetit të lirë të qytetarëve.

(Zëri i Amerikës)