Zgjedhjet në Mal të Zi: “Evropa tani” del e para, DPS-i e dyta

Podgoricë, 11 qershor 2023 – Lëvizja Evropa Tani (PES) e Malit të Zi fitoi 25.5% të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit (23 mandate), sipas rezultateve preliminare të Qendrës për Monitorim dhe Kërkim (CEMI).

Partia pro-evropiane Demokratike e Socialistëve (DPS), e cila udhëhoqi Malin e Zi midis viteve 1990 dhe 2020, doli e dyta me 23.8% të votave (21 mandate).

Aleanca konservatore për të Ardhmen e Malit të Zi, e udhëhequr nga Fronti Demokratik pro-serb dhe pro-rus, fitoi 14.7% (13 mandate).

Sondazhet para votimeve ishin të përafërta me rezultatet preliminare.

Sipas CEMI-t, një koalicion tjetër pro-BE-së që përfshin Partinë Demokratike dhe Lëvizjen URA të kryeministrit në largim, Dritan Abazoviq, doli në vendin e katërt me 12.3% të votave (11 mandate).

Millojko Spajiq, lider i listës së Lëvizjes Evropa Tani (PES), në fjalimin e tij të parë paszgjedhor deklaroi se ishte një fitore e madhe për partinë e tij, e cila nga një parti joparlamentare, u shndërrua në partinë më të madhe në Mal të Zi, për më pak se një vit. Ai theksoi se në të ardhmen nuk do të hyjë në koalicion me Partinë Demokratike të Socialistëve dhe Lëvizjen Qytetare Ura të Dritan Abazoviq.

“Ne presim që qeveria të formohet sa më shpejt, do të flasim me të gjithë ata që ndajnë vlera si tonat. Ne do të formojmë një qeveri të re pro-evropiane”, tha Spajiq.

Për 81 ulëset e Parlamentit të Malit të Zi garuan 15 parti dhe koalicione. Të drejtë vote kishin 542.468 qytetarë.

Sipas të dhënave të para, në këto zgjedhje votuan rreth 56 për qind e votueseve me të drejtë vote. Sipas Qendrës për Tranzicion Demokratik në Mal të Zi, shifra paraqet rënie të numrit të votuesve për 20 për qind, krahasuar me zgjedhjet e mëparshme parlamentare të vitit 2020.

Garçeviq: Mali i Zi po hyn në një periudhë jostabiliteti politik

Mali i Zi po hyn në një periudhë jostabiliteti politik dhe do të duhen edhe disa zgjedhje derisa situata të stabilizohet, tha për Radion Evropa e Lirë Vesko Garçeviq, profesor në Universitetin e Bostonit.

Garçeviq thotë se i vetmi koalicion i qëndrueshëm do të ishte ai i formuar nga Lëvizja “Evropa Tani’ dhe koalicioni i mbledhur rreth Partisë Demokratike të Socialistëve, por shton se ” është e diskutueshme nëse kjo është e mundur të ndodhë”.

Një mundësi tjetër, profesor Garçeviq e sheh një qeveri të pakicës, të përbërë nga Lëvizja Evropa Tani dhe nga partitë e pakicave kombëtare, me mbështetjen e koalicionit rreth Partisë Demokratike të Socialistëve.

Për Garçeviqin, opsioni i tretë, teknikisht, mund të jetë koalicioni i Lëvizjes Evropa Tani dhe Lëvizjes Ura të kryeministrit të deritanishëm, Dritan Abazoviq.

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, tha se pret që Qeveria e re të formohet shpejt, “në mënyrë efikase dhe në përputhje me vullnetin elektoral të qytetarëve”.

Millatoviq tha se Qeveria e re duhet të vazhdojë rrugën e reformave dhe, mbi të gjitha, të përmirësojë standardin e jetesës së qytetarëve, sundimin e ligjit dhe përshpejtimin e integrimit evropian.

Ish-presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, në një deklarim për media gjatë ditës, tha se pret që Qeveria në Mal të Zi të formohet sa më parë.

“Mendoj se pejzazhi tashmë është pastruar pjesërisht. Mendoj se do kenë mundësi të formojnë qeveri”, tha Gjukanoviq.

Partitë dhe koalicionet kanë dhënë premtime të ndryshme, përfshirë jetë më të mirë, paga dhe pensione më të larta, kushte të favorshme për blerje të banesave dhe rritje të mbështetjes sociale.

Pse ishin të rëndësishme këto zgjedhje?

Këto zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare mund t’i japin fund një krize politike gati trivjeçare në Mal të Zi, ku dy qeveri u rrëzuan përmes mocioneve të mosbesimit.

Rezultati i zgjedhjeve mund të prodhojë një qeveri funksionale, të cilën Mali i Zi nuk e ka thuajse që nga prilli i vitit 2020, kur Partia Demokratike e Socialistëve, asokohe e udhëhequr nga Millo Gjukanoviq, humbi në zgjedhje.

Media të ndryshme ndërkombëtare dhe analistët politikë, ditëve të fundit, thanë se këto zgjedhje do të jenë vendimtare edhe për të ardhmen e Malit të Zi, pasi votuesit do të kenë mundësi të vendosin për të përkrahur partitë dhe koalicionet – disa përkrahëse të Perëndimit, të tjerat përkrahëse të Serbisë, apo Rusisë.

Këto janë zgjedhjet e para parlamentare në 30 vjetët e fundit, në të cilat nuk merr pjesë ish-presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, i cili humbi në zgjedhjet presidenciale që u mbajtën në muajin prill të këtij viti.

Paraprakisht, më 16 mars, tre ditë para se të zhvillohej rundi i parë i zgjedhjeve presidenciale, Gjukanoviq shpërndau Parlamentin dhe caktoi zgjedhje të parakohshme parlamentare, duke përmendur trazirat e vazhdueshme brenda Qeverisë dhe mungesën e përparimit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Zgjedhjet e 11 qershorit ishin zgjedhjet e 12-ta parlamentare që nga futja e sistemit shumëpartiak dhe të gjashtat që nga pavarësimi i Malit të Zi në vitin 2006.

Mali i Zi është anëtar i NATO-s që nga viti 2017 dhe kandidat për anëtarësim në BE që nga fundi i vitit 2012.

Mali i Zi hapi të 33 kapitujt e negociatave për anëtarësim në BE – të fundit në qershor 2020 – dhe mbylli tre.

Çfarë kanë premtuar partitë politike?

Lideri i Lëvizjes Evropa Tani, Millojko Spajiq, gjatë fushatës zgjedhore ka qenë shumë aktiv në dhënien e premtimeve sa i takon rritjes së pagës mesatare, të cilën ai premtoi se do ta bëjë 1.000 euro. Ndërsa, për pagën minimale tha se do të jetë 700 euro. E po ashtu premtoi rritje të pensionit minimal në 450 euro.

Siç shpjegoi ai, parakusht për zbatimin e kësaj është konsolidimi fiskal njëvjeçar dhe reduktimi i shpenzimeve joproduktive deri në 200 milionë euro.

Koalicioni i udhëhequr nga DPS-ja, në krye me Danijell Zhivkoviqin, premtoi rritje të pagës bruto për 50 për qind dhe pension minimal prej 350 eurosh.

Për rritjen e pagave ka folur edhe Millan Knezheviq, i cili udhëheq dy parti nga Fronti Demokratik pro-serb.

Edhe Lëvizja për Ndryshim, e cila deri vonë ishte pjesë e Frontit Demokratik, premtoi se paga mesatare, nëse do të ishte pjesë e Qeverisë, do të ishte më shumë se 1.000 euro dhe pensioni mesatar do të ishte 700 euro.

(Shkelqim Hysenaj, REL)