Zgjedhjet në Turqi: Inflacioni i lartë kërcënon rizgjedhjen e Erdoganit

Stamboll, 12 prill 2023 – Turqia po përballet me një shkallë të lartë të inflacionit dhe me rritje çmimesh. Analistët thonë se anketat e opinionit publik tregojnë se kjo përbën kërcënimin më të madh për Presidentin Recep Tayip Erdogan, I cili garon edhe për një mandat tjetër.

Në Kadiköy, një lagje e Stambollit ku jeton shtresa e mesme e popullsisë, njerëzit rreshtohen në pritje të iftarit që shënon fundin e një dite agjërimi.

Disa presin më shumë se një orë për një sanduiç dhe një supë. Sipas Ahmetit, i cili nuk dëshiron ta japë emrin e plotë, kjo është shenjë e kohëve të vështira për popullin turk.

“I shikoni, gjithë këta njerëz po presin vetëm për të marrë një racion të vogël ushqimor! Fatkeqësisht, gjithçka është shtrenjtuar. Qiratë, ekonomia… Është bërë keq për njerëzit”, thotë ai.

Bashkia e Stambollit, e kontrolluar nga opozita, po ofron ushqim falas për të varfërit gjatë muajit të Ramazanit. Në mbarë vendin, qytetet e mëdha nën kontrollin e opozitës po e bëjnë të njëjtën gjë.

Ndërsa afrohen zgjedhjet për parlamentin dhe për presidentin opozita po përpiqet të tërheqë vëmendjen për shkallën e lartë të inflacionit, e cila aktualisht ështtë mbi 55%.

Ata e fajësojnë Presidentin Rexhep Tajip Erdogan për politikën e tij të pazakontë të uljes së normave të interesit, në vend të rritjes së tyre për të kontrolluar inflacionin.

Atilla Yesilada është analist për Turqinë në organizatën “GlobalSource Partners”.

“Është shkatërruese. Rreth 80% e të anketuarve ankohen për kushtet ekonomike. 80% mendojnë se gjërat janë përkeqësuar gjatë 12 muajve të fundit. Mesatarisht, 60% mendojnë se do të përkeqësohen edhe më tej gjatë 12 muajve të ardhshëm”, thotë ajo.

Në njërin nga tregjet e qytetit, fermerët përpiqen të shesin prodhimet e tyre. Ata ankohen për mungesë të klientëve dhe thonë se po luftojnë për të mbijetuar.

“Krahasuar me vitin e kaluar, çmimet janë rritur 100% dhe më shumë. Çmimi i ushqimit për kafshët është dyfishuar. Kemi vështirësi në prodhimin dhe shitjen e vezëve. Po ashtu edhe për qumështin. Është jashtëzakonisht i kushtueshëm”, thotë për Zërin e Amerikës fermerja Meral.

Të njëjtin mendim e shpreh edhe fermeri Yusuf Kahveci, nga kompania bujqësore “Akasya Agriculture”.

“Çmimi i karburantit u rrit 100 për qind. Qiraja e tokës është rritur jashtëzakonisht shumë. Tarifa e punëtorit ishte 150 lira turke dhe tani ka shkuar në 400”,  thotë ai.

Një nga arritjet më të mëdha të Presidentit Erdogan ishin vitet e rritjes ekonomike të papara ndonjëherë dhe krijimi i një klase të mesme të fuqishme fetare.

Analistët thonë se pjesëtarët e kësaj shtrese druheshin se mund të humbisnin fitimet e tyre, nëse Presidenti Erdogan do ta humbiste pushtetin përballë partive pro-laike. Por, rritja e shkallës së inflacionit mund ta ndryshojë këtë perceptim politik”, thotë për Zërin e Amerikës Osman Sert, drejtor i kompanisë “Panoramatr Research”.

“Kriza ekonomike po i dëmton të gjitha segmentet dhe komunitetet. Kjo po i ul efektet e polarizimit, sepse, si konservatorët ashtu edhe laikët dhe të gjithë të tjerët, po preken pothuajse njësoj nga inflacioni dhe kriza ekonomike”, thotë ai.

Aktualisht, Presidenti Erdogan po përpiqet ta ndryshojë axhendën. Vënia në punë e aeroplanmbajtëses së parë të Turqisë, të hënën, nxjerr në pah se presidenti Erdogan e ka kthyer vendin në një fuqi rajonale, një përpjekje për të siguruar bazën që e mbështet atë, nacionalistët fetarë.

Rezultatet e zgjedhjeve të muajit që vjen do të tregojnë nëse kjo bazë do të vazhdojë të jetë besnike ndaj tij.

(Zëri i Amerikës)