Zgjidhet Qeveria e re e Malit të Zi

Podgoricë, 31 tetor 2023 – Kuvendi i Malit të Zi, mëngjesin e 31 tetorit zgjodhi Qeverinë e kryeministrit Millojko Spajiq, pas seancës plenare që zgjati tërë natën.

Qeveria mori mbështetjen e 46 deputetëve nga partia e Spajiqit, Lëvizja Evropa Tani, nga partia pro-ruse Fronti Demokratik që është shpërbërë së fundi, Demokratët, Partia Popullore Socialiste dhe partitë shqiptare.

Të gjitha këto parti do të udhëheqin ministri në Qeverinë e re, përveç partisë Fronti Demokratik, subjekt që sipas marrëveshjes me Spajiqin, do të hyjë në Qeveri pas një viti. Ekzekutivi do të ketë 18 ministri dhe pesë zëvendëskryeministra.

Për zgjedhjen e Qeverisë, 19 deputetë opozitarë votuan kundër, një abstenoi dhe pesë deputetë munguan në seancë gjatë votimit.

Qeveria e re e Malit të Zi i jep fund udhëheqjes së ekzekutivit me mandat teknik të Dritan Abazoviqit, Qeveria e së cilit u rrëzua përmes një mocioni të mosbesimit në gusht të vitit 2022.

Gjatë adresimit para deputetëve, Spajiq tha se “anëtarësimi i plotë” në Bashkimi Evropian, përmirësimi i lidhjeve rajonale dhe marrja e një roli më aktiv në organizatat multilaterale do të jenë katër prioritetet kryesore të ekzekutivit të tij.

Koalicioni i qendrës Evropa Tani fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura në qershor, por nuk arriti të fitonte mjaftueshëm sa të krijonte vetë Qeverinë.

Votimi i Qeverisë së Malit të Zi vjen pasi aleanca pro-serbe dhe pro-ruse Për një Mal të Zi më të mirë, që udhëhiqet nga Andrija Mandiq, u pajtua të mbështeste zgjedhjen e Spajiqit, në këmbim që Mandiq të zgjidhej kryetar i Parlamentit.

Gjatë fushatës zgjedhore, Mandiq ka bërë thirrje për raporte më të ngushta me Rusinë, ka kritikuar anëtarësimin e Malit të Zi në NATO dhe ka folur kundër referendumit të vitit 2006 që çoi në shkëputjen e shtetit nga Serbia.

Pasi u zgjodh kryeparlamentar, Mandiq u zotua për punë drejt tejkalimit të ndasive. Kritikët thanë thënë se zgjedhja e tij në postin e kryeparlamentarit do të pengojë ambiciet e shtetit për anëtarësim në BE.

Seanca gjatë natës

Një prej arsyeve që seanca për votimin e Qeverisë u mbajt gjatë natës – që është një praktikë e pazakonshme – ishte që Qeveria të mund të zgjidhej në mëngjesin e 31 tetorit, dhe të mund të mbante mbledhjen e parë për të vendosur për shtyrjen e regjistrimit të popullsisë.

Regjistrimi i popullsisë ishte planifikuar që të niste më 1 nëntor, por opozita ka kërcënuar me bojkot dhe ka kërkuar që të shtyhet për gjashtë muaj.

Spajiq njoftoi se Qeveria e tij do ta shtyjë regjistrimin për një muaj.

Debati parlamentar nisi pak pas mesnatës dhe fillimisht Spajiq refuzoi të paraqiste programin qeverisës.

Pasi njoftoi shkurtimisht për përbërjen e Qeverisë, disa deputetë opozitarë e kritikuan atë duke thënë se kjo ishte një përqeshje e Parlamentit dhe shkelje e Kushtetutës, ku thuhet se është obligative që të prezantohet programi.

Deputeti i Partisë Demokratike të Socialistëve në opozitë, Andrija Nikoliq tha se kjo ishte një mënyrë e keqe për fillimin e mandatit si kryeministër.

“Ju keni shkelur Kushtetutën, ligjin dhe treguat ambiciet për të zgjedhur Qeverinë në orët e para të mëngjesit. Ne kemi ardhur për të diskutuar për ekspozenë programit dhe ju nuk e lexuat atë”.

Spajiq u tha deputetëve opozitarë tha se vendimi për të votuar Qeverinë në mëngjes është që të plotësojë kërkesën e tyre për të shtyrë regjistrimin e popullsisë.

“Qëllimi im ishte i qartë. Ekspozeja ka qenë publike tash e disa ditë, kushdo që ka dashur ta lexonte, ka mundur ta bënte. Ne e kemi publikuar në rrjetet sociale”, tha ai.

Pothuajse shumica e debatit u përqendruan në zgjedhjen e Mandiqit në postin e kryeparlamentarit.

Përplasjet Abazoviq-Spajiq

Gjatë debatit pati përplasje mes dy kryeministrave. Ish-kryeministri Dritan Abazoviq tha se Qeveria e tij kori rezultate të shkëlqyera pavarësisht njoftimeve se Raporti i Progresit i Komisionit Evropian mund të jetë negativ.

“KE-ja mund të thotë çfarë të dojë, por kurrë nuk ka pasur sinkronizim më të madh dhe më të mirë në Mal të Zi sesa në vitin e fundit”.

Për të mbështetur këtë qëndrim, ai tha se Qeveria e tij po e lë mandatin me 200 milionë euro buxhet, duke e akuzuar Spajiqin se po planifikon të marrë borxhe të mëdha në KE.

“Plani juaj është që menjëherë të merrni borxh të madh. Më lejoni t’ua shpjegoj: një miliard dollar, një për qind e tarifës nënkupton se keni 10 milionë. Vetëm këtë herë mos i lini paratë të shkojnë përmes Beogradit, sepse ndoshta dikush atje, për shkak të rrethanave politike, mund t’iu tradhtojë”.

Spanjiq tha se deklaratat e Abazoviqit janë të pavërteta.

“Ju thoni se keni lënë 200 milionë. Për çfarë 200 milionë e keni fjalën? Mjaft bëtë shaka, ju nuk e keni idenë. Ju nuk keni bërë asnjë projekt”, tha Spajiq.

Abazoviq tha se premtimet e Spajiqit ishin një mashtrim i madh.

“Ju nuk mund ta drejtoni shtetin si një kompani private. Kur hyni në borxhe, jepni dorëheqje dhe largohuni”.

Programi Evropa Tani 2 është vazhdim i programit me emër të njëjtë, që hoqi pagesat e kontributeve shëndetësore të punonjësve të Malit të Zi nga janari i vitit 2022 dhe paratë u transferuan në paga neto. Sipas programit, e njëjta gjë do të bëhet edhe me fondin pensional.

Spanjiq dhe Jakov Millatoviq – presidenti i Malit të Zi – dizajnuan këto programe kur ishin ministra të Qeverisë së parë të Partisë Demokratike të Socialistëve e cila u rrëzua në gusht të vitit 2020.

Ndryshe, Mali i Zi i është bashkuar NATO-s më 2007 dhe po punon drejt anëtarësimit në BE. Podgorica që nga viti 2002 përdor euron si monedhë, edhe pse shteti nuk është pjesë e eurozonës.

Pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Mali i Zi iu bashkua sanksioneve të BE-së kundër Moskës, duke dëbuar disa diplomatë rusë dhe duke i ofruar ndihmë Kievit.

Moska e ka futur Malin e Zi në listën e “shteteve jomiqësore”.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pritet të takohet me Spajiqin më 31 tetor në Podgoricë.

(REL)