Zhbllokohen rrugët kryesore në veri të Kosovës, vendkalimet kufitare nuk janë hapur ende

Prishtinë, 1 gusht 2022 – Dy rrugët kryesore në pjesën veriore të Kosovës që shpien në dy vendkalimet kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe në Bërnjakë, janë zhbllokuar të hënën pasdite.

Raportohet se nga këto dy rrugë janë hequr të gjitha barrikadat që ishin vendosur një ditë më parë dhe ato tashmë janë të lira për qarkullim.

Por, vendkalimet kufitare nuk janë hapur ende as për kalimin e automjeteve dhe as të këmbësorëve.

Klan Kosova raporton se heqja e barrikadave nga rrugët në drejtim të këtyre dy vendkalimeve kufitare është bërë me rekomandim të kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiq.

Rrugët në drejtim të vendkalimeve kufitare me Serbinë, në jerinjë e në Bërnjakë, si edhe disa rrugë të tjera në pjesën veriore të Kosovës, u bllokuan të dielën pasdite nga grupe ekstremiste serbe që gëzojnë përkrahjen e Beogradit zyrtar. Në këto rrugë u vendosën kamionë e automjete të rënda, për të penguar zbatimin e vendimeve të qeverisë së Kosovës për targat e automjeteve dhe për letërnjoftimet.

Beogradi zyrtar i vlerësoi të arsyeshme këto akte të grupeve serbe në veri, ndërsa vendimet e Qeverisë së Kosovës i cilësoi si akte që kërcënojnë sigurinë e serbëve në Kosovë. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Serbia e ka obligim kushtetues ta mbrojë popullsinë serbe në Kosovë, duke kujtuar se me Kushtetutën e Serbisë Kosova është pjesë e Serbisë.

Forca paqeruajtëse e NATO-s në Kosovë, KFOR, njoftoi se po vazhdon të monitorojë nga afër situatën në pjesën veriore të Kosovës. Të dielën gjatë ditës dhe në mbrëmje,  si edhe të hënën, pjesëtarë të kësaj force kanë vëzhguar terrenin nga toka dhe ajri.

Të dielën vonë, KFOR-i tha se situate në veri të Kosovës është e tensionuar dhe theksoi se është i gatshëm të ndërhyjë, në rast se rrezikohet stabiliteti në Kosovë.

KFOR-i tha gjithashtu se “do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt në Kosovë”.

Qeveria e Kosovës e mori vendim të shtyjë deri më 1 shtator zbatimin e vendimeve për targat e automjeteve të lëshuara në Serbi dhe për letërnjoftimet serbe. Ky vendim u mor me sugjerimin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili bëri të qartë se SHBA nuk kërkon rishqyrtimin e dy vendeve të Qeverisë së Kosovës, por kërkon që palëve t’u jepet më shumë kohë për shmangien e paqartësive.

Kryeministri Albin Kurti tha se shtyrja e vendimeve do të bëhet pasi të jenë hequr  nga rrugët të gjitha barrikadat e vendosura nga, siçu shpreh ai, “grupet kriminale”.

(r.m.)