Athinë / Ankara,2 gusht 2021 – Zjarrfikësit në Greqi dhe Turqi po vijojnë betejën me zjarret, që kanë shkaktuar dëme të shumta në zonat turistike të dy shteteve. Në Peloponez të Greqisë, flakët arritën pranë disa fshatrave turistikë ndërsa banorët dhe turistët u evakuuan. Në Turqi autoritetet njoftuan se më shumë se 100 vatra zjarri janë vënën nën kontroll, ndërsa janë regjistruar të paktën 6 viktima.
Prej dy ditësh avionët dhe helikopterët e zjarrfikësve po punojnë për të vënë nën kontroll një zjarr që shpërtheu në disa fshatra në Greqinë perëndimore.
Zjarri filloi të shtunën në kodrat e fshatit Ziria, në Peloponez të Greqisë, rreth 30 kilometra në lindje të qytetit Patra. Shpejt flakët u përhapën në perëndim drejt bregdetit, duke kaluar autostradën që lidh Athinën me Patrën, qytetin e tretë më të madh të Greqisë, duke e ndarë zonën në dy pjesë.
Disa shtëpi u dogjën, ndërsa autoritetet evakuuan banorët dhe turistët në disa fshatra turistikë.
“Katastrofë, katastrofë… Pemët e mia të ullirit u dogjën, vetëm kafshët e mëdha arrita të shpëtoja. Pulat, lepujt, gjithçka u dogj”, thotë fermeri Dimitris Matzioros.
Era e fortë ndihmoi flakët të përhapën në disa zona, dëri sa arritën në det. Rreth 300 zjarrfikës luftuan gjatë gjithë natës për të shuar zjarrin.
“Kishte shumë erë nga veriperëndimi. Tani ka shumë dëme. Sepse ne kemi shumë pyje, dhe nuk ishin djegur kurrë në 100 vjet”, thotë fermeri Nikos Liemboros.
Pesëmbëdhjetë persona me probleme frymëmarrjeje u dërguan në spital, sipas zyrtarëve.
Autoritetet greke kishin paralajmëruar qytetarët dhe turistët se kishte rrezik të lartë sa i përket zjarreve pasi një valë e rrezikshme e të nxehtit po mbizotëron në vend, me temperatura mbi 45 gradë Celsius.
Greqia ka kujtime të hidhura nga zjarret, pasi në vitin 2018 flakët e zjarrit që shpërthyen në qytetin bregdetar të Matit pranë Athinës, iu morën jetën 102 njerëzve.
Ndërkohë në Turqi autoritetet njoftuan se më shumë se 100 vatra zjarri janë vënën nën kontroll.
Ministri i Pyjeve dhe Bujqësisë, Bekir Pakdemirli shkruajti në rrjetin social Twitter se pesë vatra zjarri ishin ende aktive në destinacionet turistike të Antalisë dhe Muglës. Për të ndihmuar në shuarjen e flakëve shumë banorë të zonave të rrezikuara kanë dalë në ndihmë të forcave zjarrëfikëse.
Turistët u evakuuan të shtunën nga disa hotele në vendpushimin e Bodrumit në Egje. Sipas autoriteteve 6 persona kanë humbur jetën nga zjarret.
Duke folur nga qyteti Manavgat, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan njoftoi se qeveria do të mbulojë qeratë për njerëzit e prekur nga zjarret dhe do të rindërtojë shtëpitë e tyre. Ai tha se taksat, sigurimet shoqërore dhe pagesat e kredisë do të shtyheshin për të prekurit dhe bizneseve të vogla do t’u ofroheshin kredi me zero interes.
(Zëri i Amerikës)