Që sot, Qyteti i Nju Jorkut, ku jetojnë gati një milion myslimanë, do të ketë një kryebashkiak të ri
Nga Ruben Avxhiu
Demokrati socialist u bë kryebashkiaku i parë në historinë e Qytetit të Nju Jorkut që bën betimin e marrjes së detyrës mbi Kuran, libri i shenjtë i besimtarëve myslimanë.
Mamdani, 34 vjeçar, i cili fitoi zgjedhjet në nëntor, është një nga kryetarët më të rinj në historinë e Nju Jorkut, një emigrant i lindur në Uganda, dhe përfaqësues i rrymës më të majtë të Partisë Demokrate.
Në betimin e kryer mbrëmë në tunelin e nëndheshëm të një stacioni të vjetër dhe jashtë përdorimit të metrosë së Nju Jorkut, Mamdani përdori Kuranin e gjyshit të tij.
Zyrtarët në Amerikë shpesh zgjedhin kopje historike të librave të shenjtë. Megjithatë ka raste kur përdorin edhe kopje të vjetra të familjes, kryesisht për të nderuar një të afërm të shtrenjtë. Si në rastin e Mamdanit. Edhe paraardhësi i tij, Eric Adams u betua mbi Biblën e mamasë së tij.
Megjithatë, Mamdani kishte pranë edhe një kopje të dytë të Kuranit, të përdorur dikur nga Arturo Schomburg, një shkrimtar dhe historian portorikan, figurë e të ashtuquajturës Rilindje të Harlemit. Kjo kopje e Kuranit iu dhurua për ceremoninë nga Biblioteka Publike e Nju Jorkut, ku mbahet e arkivuar.
Një tjetër betim publik dhe me pjesëmarrje masive pritet të bëhet sot, në Bashkinë e Qytetit, përpara mijëra mbështetësve të tij entuziastë nën drejtimin e aleatit të tij politik dhe Senatorit të Amerikës, Bernie Sanders.
Llogaritet se në Qytetin e Nju Jorkut, jetojnë sot gati një million myslimanë, duke përfshirë edhe ata me prejardhje nga trojet shqiptare.
Zyrtari i parë në historinë e Shteteve të Bashkuara që u betua mbi Kuran ishte Keith Ellison, si anëtar i Kongresit Amerikan nga Minnesota, në 2007.