Nju Jork, 5 nëntor 2025 – Kandidati demokrat, Zohran Mamdani u zgjodh të martën kryebashkiaku i 111-të i Nju Jorkut. Ai mundi ish-guvernatorin Andrew Cuomo dhe kandidatin republikan, Curtis Sliwa
Mamdani hyn në histori si myslimani i parë që zgjidhet kryetar i qytetit më të madh në SHBA. Ai është gjithashtu kryetari i parë i Nju Jorkut me origjinë nga Azia e Jugut dhe më i riu prej më shumë se një shekulli.
Mbështetësit e Mamdanit të mbledhur në Brooklyn Paramount shpërthyen nga gëzimi kur Associated Press e shpalli fituesin e garës. Ata brohoritnin emrin e Mamdanit dhe përqafoheshin me njëri tjetrin.
Politikani 34-vjeçar, demokrato-socialist, anëtar i asamblesë shtetërore nga Queens, e siguroi fitoren me më shumë se 50 për qind të votave. Cuomo (67) përfundoi i dyti me pak mbi 40 për qind, ndërsa kandidati republikan Curtis Sliwa mori pak mbi 7 për qind të votave.
Kryetari aktual i Nju Jorkut, Eric Adams, i cili garoi për një mandat të dytë si kandidat i pavarur, ishte tërhequr nga gara në muajin shtator.
Fitorja historike e Mamdanit është pjesë e fitores së madhe të demokratëve në mbarë vendin. Kongresistja Abigail Spanberger u bë guvernatorja e parë e Virginias, Mikie Sherrill e mundi kundërshtarin e mbështetur nga presidenti amerikan, Donald Trump në Neë Jersey, kurse Kalifornia votoi propozimin për rishpërndarjen e zonave që do t’ia sillte partisë pesë vende të tjera në Kongres.
Në vjeshtën e kaluar, kur e kishte nisur fushatën për kryebashkiak të Nju Jorkut, Mamdani ishte anëtar i Asamblesë Shtetërore pothuajse i panjohur. Por mesazhet e tij, të përcjella gjatë vizitave të shumta nëpër qytet, fituan shpejt mbështetjen e mijëra banorëve të Nju Jorkut.
Në programi i tij zgjedhor ai parashikon ngrirjen e qirave të banesave, ndërtimin e më shumë banesave të përballueshme, rritjen e pagës minimale në 30 dollarë në orë, transport publik falas me autobusë, taksa më të larta për më të pasurit e qytetit dhe më shumë masa progresive.
Gara tërhoqi vëmendje në nivel kombëtar dhe politikanë e analistë nga e gjithë spektri politik u përfshin në debate. Në debate u përfshi edhe Presidenti Donald Trump, i cili e etiketoi Mamdanin si “radikal” dhe si “komunist”.
Vetëm një ditë para zgjedhjeve, Trump u bëri thirrje votuesve që të votonin për Cuomon.
“Pavarësisht nëse ju pëlqen apo jo personalisht Andrew Cuomo, në të vërtetë nuk keni zgjedhje tjetër. Duhet të votoni për të dhe të shpresoni që do të bëjë një punë të shkëlqyer. Ai është i aftë për këtë, Mamdani jo!”, shkroi Trump në një postim në Truth Social.
Ai paralajmëroi edhe ndalimin e fondeve federale për Nju Jorkun nëse Mamdani do të zgjidhej kryetar.
Në muajin korrik, Trump e kishte përmendur edhe mundësinë e heqjes së shtetësisë së Mamdanit, i cili e cilësoi këtë si sulm ndaj demokracisë dhe si kërcënim të Trumpit ndaj qytetarëve të Nju Jorkut.
“Ky është jo vetëm një sulm ndaj demokracisë sonë, por edhe një përpjekje për t’u dërguar mesazh çdo njujorkezi që refuzon të fshihet në hije: nëse flisni, do të vijnë pas jush”, tha ai.
Pavarësisht sulmeve, fushata e Mamdanit pati një efekt domino në gjithë vendin. Në muajin gusht, The Guardian raportoi se fushata e tij kishte frymëzuar mbi 10 mijë progresistë në SHBA të shqyrtojnë kandidimin për poste publike.
(r.m.)