ZPS: Haxhi Shala është arrestuar për pengim të drejtësisë

Hagë, 12 dhjetor 2023 – Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Hagë ka njoftuar se ish-deputeti i Kosovës, Haxhi Shala, është arrestuar për “krime kundër administrimit të drejtësisë”.

Shala, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është intervistuar të hënën në zyrat e EULEX-it në Prishtinë, ndërsa të martën ai është transferuar në qendrën e paraburgimit në Hagë.

“Fletarrestimi lidhet me krime kundër administrimit të drejtësisë. Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dha mbështetje operative dhe logjistike për ZPS-në, në pajtim me mandatin e vet dhe sipas legjislacionit të Kosovës. Edhe Policia e Kosovës dha mbështetje operative për ZPS-në”, thuhet në njoftimin e ZPS-së.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar e merr jashtëzakonisht seriozisht pengimin e drejtësisë dhe do të vazhdojë të hetojë e ndjekë penalisht cilindo dhe të gjithë ata që përfshihen në çdo rast, përfshirë ata që frikësojnë apo ndërhyjnë tek dëshmitarët, ose ofrojnë mbështetje financiare apo të ndonjë forme tjetër për vepra të tilla penale”, thuhet në njoftim.

Haxhi Shala pritet të dalë para gjykatësit të procedurës paraprake të Gjykatës Speciale.

Prokurorja e specializuar Kimeberly West ka bërë të ditur se fletarresti ndaj Shalës është lëshuar për të mbrojtur dëshmitarët nga ndikimet dhe kërcënimet eventuale. Ajo ka thënë se mbrojtja e dëshmitarëve mbetet prioritet i ZPS-së.

“Është shumë e rëndësishme që të garantohet që qytetarët e Kosovës të flasin për të thënë të vërtetën dhe pa kërcënime për përvojat e tyre, jo vetëm që ky institucion të jetë i aftë të japë drejtësi, por edhe për sundimin e ligjit në Kosovë,” ka thënë West.

“ZPS-ja do të vazhdojë të bëjë çdo gjë brenda fuqive të saj për të mbrojtur viktimat e dëshmitarët dhe për të vënë para përgjegjësisë ata që shkelin ligjet e Kosovës për interesat e tyre private”, ka theksuar ajo.

(r.m.)