Hagë, 11 shtator 2026 – Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) kërkoi që ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të shpallet fajtor dhe të dënohet me gjashtë vjet burgim në rastin për pengim të drejtësisë pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Prokurori i specializuar Joshua Hafetz, në fund të fjalës së tij përmbyllëse, tha se nëse Thaçi shpallet fajtor, dënimin për këtë rast do ta vuante “në vijim të ndonjë dënimi tjetër që do të jepet në rastin 6, nëse do të jepet”.
Prokuroria Hafetz kërkoi që edhe të akuzuarit tjerë në këtë rast të shpallen fajtor dhe të dënohen me burgim. Për Fadil Fazliun, Isni Kilajn dhe Bashkim Smakajn kërkoi dënim me nga 3 vjet burgim secili, ndërsa për Hajredin Kuçin kërkoi dënim me 9 muaj burgim.
“Akuzat që ZPS-ja ka ngritur dhe që ka vërtetuar janë krime. Përpjekja për të ndërhyrë dhe penguar procesin gjyqësor në këtë gjykatë, paraqet kërcënim për adresimin e drejtë të drejtësisë”, tha Hafetz.
Në seancën e parë të paraqitjes së deklaratave përmbyllëse ishte i pranishëm vetëm Thaçi. Të akuzuarit tjerë janë e ndoqën seancën përmes video-lidhjes.
Mbrojtja dhe prokurorët do t’i kenë tri ditë kohë për t’i paraqitur argumentet e tyre përmbyllëse në këtë rast, i cili ndërlidhet me çështjen gjyqësore kundër Thaçit dhe tre ish-krerëve të tjerë të UÇK-së: Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Pas fjalës përmbyllëse të Prokurorisë, fjalën përmbyllëse do ta paraqesë mbrojtja e Thaçit.
Paraqitja e deklaratave përmbyllëse do të bëhet edhe nesër (e premte) dhe të hënën, më 14 shtator.
Dy ditë pas përfundimit të deklaratave përmbyllëse, më 16 shtator, do të shpallet aktgjykimi ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit, të cilët akuzohen për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit të kryera gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë.
Prokuroria ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secalin prej tyre.
Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi i kanë mohuar të gjitha akuzat e prokurorisë.
(r.m.)