Themeluesi i Facebook-ut, Mark Zuckerberg, kërkoi falje për ndërprerjen gati gjashtëorëshe të rrjetit të tij social.
Një ditë më herët, bashkë me Facebook-un ranë edhe dy platformat e tij: Instagram dhe WhatsApp.
Zuckerberg tha se kjo ka ndodhur si pasojë e një çështjeje të brendshme teknike.
Facebook tha se nuk ka “asnjë provë që tregon se të dhënat e përdoruesve mund të jenë komprometuar”.
Vetë Zuckerberg besohet se ka humbur rreth 6 miliardë dollarë nga pasuria e tij personale, pasi aksionet e Facebook-ut humbën në vlerë.
“Unë e di se sa mbështeteni në shërbimet tona për t’u lidhur me njerëzit që doni”, tha Zuckerberg teksa kërkoi falje.
Ndërprerja e platformave sociale besohet të ketë prekur mbi 3.5 miliardë përdorues në të gjithë botën.
(REL)