Zv/ministri Vokrri fajësoi “ndërkombëtarët” për tensionet në veri, ministrja Haxhiu distancohet nga deklarata e tij

Prishtinë, 22 maj 2025 – Zëvendësministri në detyrë i Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, dhe Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në paraqitje të ndara publike, të enjten, janë përplasur lidhur me tensionet në pjesën veriore të Kosovës.

Vokrri ka thënë se ka edhe “diplomatë ndërkombëtarë” që “kanë inkurajuar eksponentë të lidhur me Listën Serbe që të shkaktojnë trazira, ndërsa Haxhiu ka thënë se incidentet në veri “i kanë shkaktuar strukturat kriminale, terroristët serbë që dirigjohen nga Serbia”.

Vokrri, në një intervistë në KTV, e ka cilësuar si njërin ndër nxitësit e trazirave në veri shefin e misionit të BE-së në Kosovë, Aivo Orav.

“Pala ndërkombëtare, unë kam qenë vetë dëshmitar në disa situata që i ka nxitur vetë trazirat. Nuk po them patjetër të përmasave shumë të mëdha, por me deklarimet e tyre, me takimet e tyre, kanë inkurajuar eksponentë të lidhur me Listën Serbe që të bëjnë trazira. Janë diplomatë ndërkombëtarë, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare. E kam përmendur edhe z.Orav, shefin e misionit të BE-së në Kosovë, si njërin nga nxitësit e njërës prej trazirave. Kjo ka ndodhur pas atij incidentit ku u grumbulluan një pjesë e aktivistëve politikë të veriut që njihen për sponsorizim nga shteti serb dhe e bënë një tollovi aty. Pasi përfundoi e tëra, në rrjetet sociale pashë se të njëjtit kishin qenë në takim me të [z. Orav] pak orë para se ta bënin atë tollovi. Ky është vetëm një prej shembujve”, ka thënë Vokrri.

Ai ka thënë se bashkësia ndërkombëtare do të duhej të ndërtonte raporte më të afërta me qytetarët serbë që janë të interesuar të bëjnë jetë normale në Kosovë. 

Duke folur për reagimet e faktorit ndërkombëtar për mbylljen e institucioneve të Serbisë në veri, ai ka thënë se ato do të duhej të përcilleshin me argumente. 

“Lidhur me shqetësimet eventuale të bashkësisë ndërkombëtare, mendoj se do të duhej të përcilleshin me ndonjë arsyetim apo argumentim”, ka thënë ai, duke shtuar se për mbylljen e institucioneve të Serbisë nuk ka pasur reagim të qytetarëve serbë.

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është distancuar nga kësaj deklarate të zëvendësministrit Vokrri. Ajo ka thënë se kjo deklaratë është e papranueshme dhe nuk e paraqet qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Qeverisë nѱ detyrë lidhur me situatën në pjesën veriore të Kosovës.

“Distancohem nga kjo deklaratë. Nuk e di saktësisht çka ka thënë. Por, nëse është kështu, unë distancohem. Ky nuk është qëndrim i yni. S’është qëndrim i Vetëvendosjes, s’është qëndrim i qeverisë:, ka thënë ministrja Haxhiu, po në KTV.

“Ne e dimë kush i ka bërë trazirat në veri. E dimë që ato i kanë shkaktuar strukturat kriminale, terroristët serbë që dirigjohen nga Serbia”, është shprehur ajo.

(r.m.)

Comment

*