Beograd, 22 gusht 2025 – Zyrtarë të Listës Serbe janë pritur në një takim në Serbi nga drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, një ditë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës nuk e certifikoi atë për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Petkoviq shkroi në X se takimi në qytetin jugperëndimor të Serbisë, Rashkë, u zhvillua “pas përpjekjes së Kurtit për ta ndaluar atë të marrë pjesë në zgjedhjet lokale”, duke iu referuar kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.
“Diskutuam për situatën politike, të sigurisë dhe ekonomike në zonat serbe, si dhe për hapat e mëtejshëm dhe mbështetjen në mbrojtjen e interesave të popullit serb në Kosovë dhe Metohi”, shtoi ai.
Vendimi i Komisionit Qendror Zgjedhor i Kosovës u kritikua nga vendet e QUINT-it dhe Bashkimi Evropain, të cilat i bënë thirrje Qeverisë në detyrë dhe partive politike të mos ndërmarrin ndonjë hap tjetër për ta penguar regjistrimin e Listës Serbe për zgjedhjet e tetorit.
Zyrtarët e Listës Serbe udhëtuan për t’u takuar me Petkoviqin në Rashkë disa orë pasi parashtruan ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) kundër vendimit të KQZ-së për moscertifikimin e saj.
Lista Serbe vendosi të garojë në zgjedhjet e sivjetshme lokale, pasi i kishte bojkotuar zgjedhjet e kaluara lokale, duke bërë që kryetarët shqiptarë ta merrnin pushtetin në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit nga maji i vitit 2023.
Nëse certifikohet, Lista Serbe pritet t’i rimarrë të gjitha katër komunat veriore: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.