Zyrtarët federalë amerikanë hapin hetime ndaj ish-prokurorit special Jack Smith

Uashington, 2 gusht 2025 – Zyrtarët federalë amerikanë konfirmuan se kanë hapur një hetim ndaj ish-prokurorit special Jack Smith, i cili i ka udhëhequr hetimet për dy çështje penale federale kundër Presidentit Donald Trump, përpara se të jepte dorëheqje nga pozita e prokurorit speciale, në fillim të këtij viti, raporton BBC.

Zyra e Prokurorit Special (Office of the Special Counsel, OSC) konfirmoi për BBC se ndaj z. Smith është duke u zhvilluar një hetim, por nuk pranoi të japër më shumë detaje.

Jack Smith ishte emëruar prokuror special në vitin 2022 për të hetuar rastin e keqpërdorimit të dyshuar të dokumenteve të klasifikuara nga Trump pas përfundimit të mandatit të tij të parë presidenciale si edhe përpjekjen e dyshuar të tij për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

OSC nuk ka autoritet të ngre akuza penale kundër z. Smith, por mund të fillojë veprime disiplinore ose t’ia referojë gjetjet e saj Departamentit të Drejtësisë. Ajo është agjenci federale e pavarur që funksion kryesor e ka hetimin dhe adresimin e shkeljeve të rregullave federale nga anëtarët e shërbimit civil të SHBA-së.

OSC vepron veçmas nga zyrat e prokurorëve të posaçëm në Departamentin e Drejtësisë, si ajo që e kishte drejtuar më parë z. Smith, e cila mund të ngre akuza penale federale.

Mediat amerikane raportuan të shtunën se OSC po e heton z. Smith për shkelje të dyshuara të Aktit Hatch, një ligj që i ndalon aktivitetet politike nga zyrtarët qeveritarë. Kjo vjen pasi senatori republikan nga Arkansasi, Tom Cotton, i bëri thirrje OSC-së ta hetojë z. Smith për, siç është shprehur, “ndërhyrje të paprecedentë në zgjedhjet e vitit 2024”.

  1. Smith ishte caktuar prokuror special nga ish-Prokurori i Përgjithshëm, Merrick Garland, në nëntor 2022, për të mbikëqyrur hetimet federale ndaj Trumpit. Të dyja rastet që i hetoi ai çuan në ngritjen e akuzave penale kundër Trumpit, atëherë ish-president, i cili u deklarua i pafajshëm dhe kërkoi që ndjekjet penale ndaj tij të cilësoheshin si të motivuara politikisht.

Çështjet e ngritura nga z. Smith u mbyllën pas fitores së z. Trump në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar, pasi rregulloret e Departamentit të Drejtësisë e ndalojnë ndjekjen penale të një presidenti në detyrë.

Para se të emërohej prokuror special për hetimet për dy çështje penale federale kundër z. Trump, Jack Smith ishte Kryeprokuror i Dhumave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë. Gjatë mandatit të tij ishte ngritur aktakuza ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veselui, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët akuzohen për krime ufte dhe për krime kundër njerëzimit.

(r.m.)