Tiranë, 30 prill 2026 – Prokuroria e Tiranës njoftoi të enjten, më 30 prill, për përfundimin e hetimeve ndaj zyrtarëve të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza dhe disa mjekëve, të cilët akuzohen se dërgonin pacientët e sëmundjeve tumorale në klinika private për të kryer trajtime që duhet të realizoheshin falas në spitalin shtetëror. Ata akuzohen gjithashtu se i sabotonin pajisjet që shërbejnë për trajtimin e të sëmurëve me tumor.
Sipas prokurorisë, nga hetimet janë dokumentuar raste ku pacientëve të ndryshëm u mohohej trajtimi i duhur mjekësor, për t’i orientuar më pas drejt klinikave private, ku merrnin shërbimin kundrejt tarifave të fryra.
Po ashtu, ka rezultuar se janë sabotuar pajisjet që shërbejnë për trajtimin e të sëmurëve me tumor, konkretisht një aparaturë Kobalto-Terapie e instaluar në Spitalin Onkologjik. Prokuroria sqaron se, që të mundësohej përdorimi i kësaj aparature, duhej të krijohej më parë një bunker antiradioaktiv ose antiatomik, sipas kushteve të miratuara dhe të prezantuara nga Agjensia Atomike e Vienës.
“Ky bunker jo vetëm nuk u krijua por aparatura u vendos jashtë kushteve teknike e në dhomën ngjitur kabinetit të radiologjisë me një lloj radioaktiviteti që nuk mund të lejohet të vendoset në ambiente jo specifikë”, konstaton prokuroria dhe shton, se nga viti 2021 kur ky aparat ka mbërritur në Shqipëri, nuk është vendosur në shfrytëzim. Gjithashtu, është lënë në kushte të papërshtatshme duke u bërë burim rreziku ndaj vetë personelit mjekësor si pasojë e rrezatimeve të mundshme që emëton.
Prokuroria e Tiranës vlerëson se ka provuar përgjegjësinë penale të koordinatorit të QSUNT-së, Emiljano Lela, i cili akuzohet se ka ndërhyrë në mënyrë të paligjshme kundrejt mitës, në procesin e administrimit dhe orientimit të pacientëve tek klinikat private për të marë kurën e trajtimit në luftën kundër sëmundjeve tumorale, në një kohë kur sigurohej nga shteti. “Ai përzgjidhte pacientë nga radha e pritjes dhe i orientonte jo tek mjeku që kishin të rekomanduar sipas procedurave, por tek klinikat private, duke përfituar përqindje monetare”, bën me dije prokuroria dhe shton se ndaj Lelës është ngritur akuza e “shpërdorimit të detyrës”.
Për “shpërdorim detyre” është marrë e pandehur edhe administratorja e Spitalit Onkologjik të QSUNT-të, Alketa Pere, e cila po ashtu akuzohet se dërgonte pacientët drejt klinikave private, në tejkalim të kompetencave dhe në kundërshtim me rregullat ligjore e procedurale që rregullojnë ushtrimin e profesionit mjekësor dhe administrimin e dokumentacionit shëndetësor.
Zv/drejtoresha e QSUNT-së, Brikena Qirjazi, e ngarkuar me mbulimin e shërbimit onkologjik, akuzohet nga Prokuroria se nuk ka marrë masat e nevojshme për garantimin e funksionimin e rregullt dhe të sigurt të pajisjes së burimit të kobaltit.
“Ajo nuk ka marrë masa për vënien në funksion të kësaj pajisjeje, duke bërë që pacientëve të mos u ofrohej në kohë shërbimi i nevojshëm mjekësor,” deklaroi prokuroria.
Edhe Qirjazi akuzohet për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.
E pandehura Drilona Kishta, specialiste pranë QSUNT-së akuzohet nga Prokuroria se ka kryer një ekpertizë lidhur me menaxhimin e burimeve radioaktive që nuk përputhej me gjendjen e tyre reale.
Administratori i një klinike private ku dërgoheshin pacientët, Halil Gashi, akuzohet për “fshehjen e të ardhurave”, pasi nuk ka lëshuar fatura tatimore për operacionet dhe shërbimet e kryera në klinikë. Po ashtu, ka lejuar që mjekët të punojnë në mënyrë të paregjistruar. “Ai nuk ka lëshuar fatura tatimore për shërbimet dhe operacionet e kryera në klinikën që administronte, ka lejuar mjekë të punojnë pa regjistrim ligjor dhe ka përfituar materialisht nga ky sistem i fshehjes së të ardhurave”, shpjegohet në njoftim.
Administratori i “Flori Farma”, Florian Marku akuzohet se ka bërë blerjen dhe vënien në qarkullim të barnit “Valamor”, të cilin e dinte se ishte kontrabandë. Sipas prokurorisë, ai ka marrë pjesë në aktivitetin e paligjshëm të tregtimit të barnave kontrabandë, duke ditur ose duke qenë i vetëdijshëm për statusin e paligjshëm të barnit të blerë duke konsumuar veprën penale ‘Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë’.
Fillimisht kjo çështje penale u dërgua në Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për vlerësim, nëse kishte të bënte me një grup të strukturuar kriminal. Por SPAK e risolli në Prokurorinë e Tiranës duke veçuar materialet në ngarkim të një mjeku onklog të dyshuar për “korrupsion pasiv”.