Prishtinë / Beograd, 12 tetor 2025 – Nga Mitrovica Veriore njoftohet se zyrtarët e Listës Serbe në pjesën veriore të Mitrovicës kanë shkuar në mënyrë kolektive në vendvotimet për zgjedhjet lokale.
Në komunat e Kosovës me shumicë serbe, sidomos në katër komunat më veriore, tashmë është praktikë e zakonshme që punonëtorët e institucioneve të Serbisë në Kosovë të votojnë në mënyrë kolektive.
Në prill të vitit 2023, serbët në veri, duke i ndjekur udhëzimet e Listës Serbe, i bojkotuan zgjedhjet e jashtëzakonshme komunale. Ata nuk morën pjesë as në votimin për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë, një vit më vonë, po për shkak se Lista Serbe bëri thirrje për bojkot.
Në zgjedhjet e sivjetme lokale, Lista Serbe ka kandidatë për kryetarë të dhjetë komunave me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok, Graçanicë, Shtërpcë, Novobërdë, Kllokot, Partesh dhe Ranillug, si dhe në Obiliq.
Kandidatë për kryetarë të këtyre komunave kanë edhe pesë subjekte politike serbe (Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Demokracia Serbe, Lëvizja Popullore Serbe dhe Aleanca e Kosovës), si edhe disa iniciativa qytetare.
Vuçeviq u bën thirrje serbëve në Kosovë të dalin në zgjedhje
Zgjedhjet lokale në Kosovë, si rëndom, përcillen me interes në Serbi. Autoritet serbe, ushtrojnë forma të ndryshme presioni ndaj votuesve serbë që të votojnë për subjektet politike dhe kandidatët që kontrollohen nga Beogradi zyrtar.
Pak ditë më parë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u bëri thirrje serbëve në Kosovë që të votojnë për Listën Serbe, partinë të cilën ai e kontrollon edhe përmes grupeve dhe personave të përfshirë në veprimtari të ndryshme të kundërligjshme, sin ë Kosovë ashtu edhe në Serbi. Por, këtë herë ai e përdori edhe një karrem për serbët hallexhinj. Ai premtoi 400 vende pune për serbët në institucionet shëndetësore të Serbisë në komunat me shumicë serbe në Kosovë.
Ndërkohë, kryetari i partisë së Vuçiqit, Partisë Përparimtare Serbe (SNS), ish-kryeministri i Serbisë Millosh Vuçeviq, u bëri thirrje vituesve serbë që të masivisht të marrin pjesë në zgjedhjet e sotme në Kosovë.
Duke folur për televizionin serb Prva, Vuçeviq tha se pjesëmarrja masive e serbëve të Kosovësn ë zgjedhjet lokale “nuk është thjesht votim për ndonjë opsion politik, por çështje e mbijetesës së serbëve në Kosovë”.
Autoritetet e Kosovës e akuzojnë Serbinë për ndëhyrje në zgjedhjet e Kosovës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e akuzoi Serbinë për ndërhyrje të drejtpërdrejtë në zgjedhjet e sotme lokale. Në prasg të zgjedhjeve, në takimin me kryetarin e KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ajo theksoi se Serbia po ndikon përmes “blerjes së votës, frikësimit dhe dhunës”, një praktikë që është përsëritur ndër vite.
Akuza të ngjashme drejtoi edhe kryeministri në detyrë dhe mandatari për formimin e qeverisë së re të Kosovës, Albin Kurti. Ai tha se Serbi po e pengon vullnetin e lirë përmes formave të ndryshme të joshjes e presionit, siç ka bërë me premtimet për hapjen e vendeve të reja të punës dhe për përfitime të ndryshme financiare për serbët lojalë ndaj Listës Serbe.
Ndërkohë, subjektet tjera politike serbe që janë opozitë e Listës Serbe u janë nënshtruar formave të ndryshme të presionit dhe shantazhit, përfshirë edhe largimin nga puna në institucionet ilegale që financohen nga Serbia.
(r.m.)