4.27 miliardë buxhet për 2027-tën, një e katërta për paga

Prishtinë, 2 nëntor 2026 – Qeveria ka proceduar të hënën në Kuvend Projektbuxhetin për vitin 2027, për të cilin zyrtarët ekzekutivë kanë thënë se është dorëzuar brenda afatit ligjor.

Në mbledhjen e mbajtur të hënën, kryeministri Albin Kurti bëri të ditur se buxheti për vitin e ardhshëm kap vlerën prej 4.27 miliardë eurosh. Sipas tij, në të janë përfshirë projekte infrastrukturore, rritje të pagave dhe skemave sociale.

Një e katërta e buxhetit, sipas Kurtit, do të shpenzohet për pagat e punonjësve publikë, pasi parashihet rritje e koeficientit për këtë kategori.

“Njësoj sikurse sivjet, buxheti 2027 parasheh edhe në vitin tjetër pagën e 13-të, dhe krahas saj edhe rritjen e koeficientit të pagave në 120 euro nga data 1 korrik 2027. Pra, në pjesën e parë të vitit paga e 13-të, kurse në pjesën e dytë të vitit rritje e pagës për të gjithë nëpunësit që marrin pagë nga buxheti”, ka thënë Kurti.

Kurti ka paralajmëruar gjithashtu se deri në vitin 2030 do të dyfishohen shtesat për fëmijë e ato fillojnë të rriten për 25 për qind nga janari i vitit 2027.

Në kuadër të këtij buxheti është përfshirë edhe rritja e mbështetjes financiare për avokatët e katër ish-krerëve të UÇK-së, të cilët janë dënuar në shkallë të parë nga Gjykata Speciale.

“Me këtë buxhet është paraparë edhe rritja e mbështetjes për ekipet mbrojtëse të katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës sipas kërkesës së parashtruar nga ekipet mbrojtëse”, ka thënë ai.

E ministri i Financave, Hekuran Murati, në konferencën pas mbledhjes së Qeverisë, ka bërë të ditur se në projektbuxhet janë përfshirë ndërtimi i digave, lidhja e autostradave “Ibrahim Rugova” dhe “Arbën Xhaferi”, si dhe ndërtimi i unazës së jashtme të Prishtinës.

Këto projekte janë pjesë e investimeve kapitale. Për këtë kategori, Murati ka thënë se gjatë 9 muajve të këtij viti janë realizuar vetëm 37 për qind e investimeve të planifikuara.

Për këtë ngecje, ministri ka fajësuar procedurat në Organin Shqyrtues të Prokurimit dhe nisjen e 2026-tës pa buxhet të miratuar.

“Ankesat dhe vonesat zakonisht shkaktohen për shkak të OSHP-së, shumica e projekteve që iniciohen vonohen aty derisa të gjendet zgjidhja apo të ofrohet vendimi përfundimtar nga OSHP-ja. Por këtë vit kemi pasur një situatë specifike, sepse siç e dini dy muajt e parë të vitit vendi ka operuar pa buxhet pra është dashur të operojmë me kushte të jashtëzakonshme me 1/12 e buxhetit paraprak”, është shprehur ai.

Projektbuxheti është proceduar pas afatit të përcaktuar me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, sipas të cilit data e fundit për dorëzimin e tij në Kuvend ishte 31 tetori. Por Murati ka thënë se Qeveria e ka përmbushur afatin, me arsyetimin se 31 tetori këtë vit ka qenë ditë e shtunë dhe jo ditë pune.

Tashmë i mbetet Kuvendit që deri në fund të vitit ta shqyrtojë dhe miratojë buxhetin në dy leximet.

(Koha)

Comment

*