Ambasada amerikane në Prishtinë: Më 16 shtator mund të ketë protesta të mëdha. Shmangni lëvizjet pranë vendgrumbullimeve

Prishtinë, 14 shtator 2026 – Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, nëpërmjet një njoftimi për sigurinë, paralajmëroi se në Prishtinë dhe në qytete të tjera të Kosovës mund të ketë protesta të mëdha të mërkurën, më 16 shtator, kur shpallet vendimi i Gjykatës Speciale në Hagë për katër ish-krerët e UÇK-së.

njoftimin e Ambasadës thuhet se disa organizata po planifikojnë të organizojnë protesta të mëdha, të cilat mund të shkaktojnë mbyllje të rrugëve dhe vështirësi serioze në qarkullimin rrugor.

Për këtë arsye, ambasada i këshillon shtetasit amerikanë që më 16 shtator të shmangin vendet ku mund të ketë grumbullim të protestuesve dhe të kufizojnë lëvizjet. Edhe personeli i qeverisë amerikane në Kosovë këshillohet t’i shmangë të gjitha udhëtimet e panevojshme në afërsi të vendeve ku mund të ketë protesta dhe të mos i dërgojë fëmijët në shkollë.

“Disa organizata po planifikojnë protesta të mëdha për të mërkurën, më 16 shtator, në qendër të Prishtinës dhe në qytete të tjera të mëdha të Kosovës. Këto protesta mund të shkaktojnë grumbullime të mëdha të njerëzve, mbyllje të rrugëve dhe çrregullime serioze në trafik. Këshillohet që t’i kufizoni lëvizjet në zonën në afërsi të vendbanimit tuaj dhe të shmangni udhëtimet për në vendet tuaja të punës apo për në shkollave në qoftë se rruga juaj kalon nëpër zonat e prekura, me që mund të mos arrini me kohë në destinacionin tuaj Personeli i qeverisë së SHBA-së është këshilluar t’i shmangë të gjitha udhëtimet e panevojshme në afërsi të vendeve ku zhvillohen protesta dhe të mos i dërgojë fëmijët në shkollë më 16 shtator, për shkak të çrregullimeve të mundshme në trafik. Ambasada e SHBA-së do të jetë e hapur dhe do të ofrojë shërbime të kufizuara konsullore, sipas nevojës”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.

Gjykata Speciale në Hagë ka paralajmëruar se aktgjykimi për katër ish-krerët e UÇK-së do të shpallet të mërkurën, më 16 shtator.

Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së dhe disa subjekte politike presin që trupi gjykues i Gjykatës Speciale të marrë vendim lirues për Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin.

Të dielën, në ekspozeun e tij në Kuvend, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se të gjithë qytetarët e Kosovës janë në ankth në prag të aktgjykimit të Gjykatës Speciale.

“Të gjithë jemi në ankth në prag të vendimit të procesit gjyqësor ndaj drejtuesve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit e Kadri Veselit”, tha Kurti.

Ai tha se kërkesa e prokurorisë për dënimin e çlirimtarëve është në shpërputhje me të vërtetën historike dhe me drejtësinë.

“Kërkesa e Prokurorisë është e padrejtë, e pabesueshme, në shpërputhje me të vërtetën historike të popullit tonë dhe me drejtësinë e luftës sonë çlirimtare”, tha Kurti.

“Në Kosovë janë kryer krime kundër njerëzimit, krime lufte e gjenocid ndaj popullatës civile shqiptare. Ato janë kryer nga regjimi i Jugosllavisë së Serbisë, nën udhëheqjen e Millosheviqit. Asnjë gjykatë vendore e ndërkombëtare s’mund ta njollosë UÇK-në”, theksoi Kurti.

Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të përmbahen nga çfarëdo reagimi cilido që të jetë aktgjykimi i Gjykatës Speciale.

Thirrje për përmbajtje kanë bërë edhe figura të njohura për mbështetjen e Kosovës.

Lordi George Robertson, ish-Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s dhe ish-ministër i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar gjatë luftës në Kosovë, ka thënë se qytetarët e Kosovës duhet ta pranojnë me qetësi vendimin e Speciales, cilido që të jetë ai.

“Çfarëdo vendimi që del nga Dhomat e Specializuara, njerëzit duhet ta pranojnë atë… dhe të sigurohen që të ecim përpara. Është e ardhmja e Kosovës ajo që ka rëndësi, jo historia e saj”, ka thënë Lordfi Robertson, në një një intervistë për KTV-në.

(r.m.)

Comment

*