Prishtinë, 20 gusht 2026 – Autoritetet e Kosovës ekspozuan të enjten në Mitrovicë një arsenal armësh, municionesh dhe uniformash ushtarake e policore të gjetur e të sekuestruar në komunën e Zubin Potokut, në zonën ku janë zbuluar tri varreza masive në të cilat janë identifikuar mbetje kockore të 23 personave.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, në konferencë për medie, ku u ekspozua armatimi i sekuestruar, tha se këto armë janë gjetur në 12 lokacione të ndryshme dhe se ato do të ekzaminohen për të zbuluar nëse janë përdorur në rastin e vrasjes së 23 personave eshtrat e të cilëve janë gjetur në tri varreza masive në këtë zonë apo në akte të tjera kriminale.
“Armatimi që shihni sot para jush është gjetur në 12 lokacione të ndryshme. Nga sot ai do t’i nënshtrohet ekzaminimit dhe analizave të detajuara me qëllim të përcaktimit të origjinës, përdorimit dhe lidhjeve me rastet e hetuara, përfshirë edhe ekzaminimin e së paku 23 personave, por edhe rasteve të tjera kriminale”, tha Sveçla.
Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se gjatë operacioneve të zhvilluara nga 6 deri më 17 gusht, janë gjetur gjithsej 72 armë, përfshirë mitralozë, armë të gjata dhe të shkurtra, pushkë gjuetie dhe një pushkë ajrore.
“Janë gjetur 72 copë armë, prej tyre dy mitralozë, 11 armë të gjata AK-47, 22 armë të gjata të llojeve të ndryshme, 27 pushkë gjuetie, nëntë armë të shkurtra dhe një pushkë ajrore. Gjithashtu, janë gjetur shtatë mjete shpërthyese, shtatë granata dore, pjesë plastike të paketimit të granatave, pjesë metalike të mjeteve shpërthyese dhe 4 mijë e 831 copë municion të kalibrave të ndryshëm”, tha ai.
Hoxha tha se gjatë kontrolleve janë sekuestruar edhe pajisje të tjera ushtarake dhe materiale që lidhen me armatimin.
“Janë gjetur edhe pjesë të shumta të armëve, karikatorë, optikë për armë, kaseta armatimi dhe magazina. Po ashtu, janë gjetur shumë pajisje të tjera ushtarake, thika, maska gazi, dylbi, radiolidhje, mbushër për radio, sëpata dhe mjete të tjera luftarake, të cilat janë konfiskuar. Është gjetur një numër i madh uniformash, çantash ushtarake të ushtrisë serbe dhe të policisë serbe, si dhe pajisje të tjera që ndërlidhen me qëllime ushtarake”, tha ai.
Hoxha tha se ekziston dyshimi që një pjesë e armatimit të gjetur dhe konfiskuar në fshatrat përreth Kalludrës së Zubin-Potokut mund të jetë përdorur në rastin e vrasjes masive të grupit të 23 shqiptarëve, të njohur si “Grupi i Intelektualëve”. Ai tha se ekzaminimi I armëve do të bëhet edhe në laboratorë jashtë vendit, nëse do të jetë e nëvojshme.
“Ka dyshime se pjesë të këtyre armëve që janë të ekspozuara këtu mund të jenë përdorur në rastin e vrasjes masive, në rastin e Grupit të Intelektualëve, mirëpo këto mbetet për t’u verifikuar pas ekzaminimeve që do të bëhen në laboratorët e Kosovës, por edhe të dërgohen jashtë nëse ka nevojë”, tha Hoxha.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se armatimi i sekuestruar do të dërgohet menjëhëherë për ekzaminime.
“Kam urdhëruar Agjencinë e Forenzikës që me prioritet t’i ekzaminojë këto armë. Që nga momenti që përfundon kjo konferencë, gjithë ky armatim do të shkojë në Agjencinë e Forenzikës, e cila në bashkëpunim me policët që janë të kyçur në hetim t’i procedojnë me urgjencë”, tha Sveçla.
Ai tha se në momentin që do të sigurohen prova shkencor që konfirmojnë përfshirjen e personave të caktuar në vrasjen e 23 shqiptarëve në Kalludër të Vogël, institucionet do të ndërmarrin veprimet përkatëse ligjore.
“Në momentin e parë që do të kemi informata të bazuara në shkencë, patjetër që policia do të ndërmarrë hapat e nevojshëm, qoftë në hetim apo edhe në sjelljen para përgjegjësisë të cilitdo që është i përfshirë në këtë masakër”, tha ai.
Të mërkurën, Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se në tri lokacione në Kalludër të Vogël të Zubin Potokut janë identifikuar mbetje kockore të së paku 23 individëve, të cilat dyshohet se u përkasën 23 shqiptarëve të zhdukur në këtë zonë prerj 19 prillit të vitit 1999.
Sveçla tha se zbulimi i këtyre varrezave masive është dëshmi e krimeve të luftës në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
“Zbulimi i këtyre varrezave masive ka nxjerrë në pah edhe një herë dimensionin të krimeve të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë. Veriu i vendit tonë, përveç se ishte skenë e krimeve të rënda ndaj civilëve, është shfrytëzuar edhe për fshehjen e trupave dhe krimeve”, tha ai.
Sveçla e cilësoi shqetësuese mungesën e reagimit të Beogradit zyrtar dhe të Listës Serbe – partisë së serbëve të Kosovës që kontrollohet nga Beogradi, lidhur me zbulimin e varrezave masive dhe me sekuestrimin e armatimit në komunën e Zubin Potokut.
“Është shqetësuese heshtja e shtetit të Serbisë dhe dorës së saj të zgjatur në Kosovë, Listës Serbe, për këto zhvillime, pra për varrezën masive dhe armët e konfiskuara. Heshtja e tyre në fakt është mbështetje e hapur për planifikuesit, organizatorët dhe realizuesit e tyre”, theksoi Sveçla.
Gërmimet në Zubin Potok nisën më 28 korrik dhe janë zhvilluar në Kalludër të Vogël, Jabukë dhe në një lokacion tjetër në këtë komunë, në veri të Kosovës.
Gërmimet nisën pas një hetimi dyvjeçar lidhur me dyshimet për krime lufte.
Lidhur me dyshimet për krime lufte kundër popullatës civile, pas nisjes së gërmimeve në veri, janë arrestuar tre persona të dyshuar. Që të tre gjenden në paraburgim.





(r.m.)