Asambleja e PS-së nxjerr në pah edhe pakënaqësitë brenda partisë

Tiranë, 14 nëntor 2026 – Asambleja e Partisë Socialiste të Shqipërisë, e mbajtur të shtunën në Gjirin e Lalëzit, duhet të shërbente për të vënë në lëvizje strukturat socialiste për zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm. Por, ajo nxori në pah edhe pakënaqësie mospajtime brenda partisë, raporton Radio Deutsche Welle.

Kryeministri Edi Rama u prit me duartrokitje nga anëtarët e Asamblesë së Partisë Socialiste. Por, me të marrë fjalën, kërkoi ndërprerjen e transmetimit për mediat.

“Dua të ndaj disa fjalë vetëm me Asamblenë, me familjen time politike”, tha ai.

Rama kërkon disiplinë në parti

Pas dyerve të mbyllura, sipas një burimi të pranishëm në mbledhje që foli për Deutsche Welle-n, në qendër të vëmendjes u vunë dy emra: Plarent Ndreca dhe Elisa Spiropali. Rama kërkoi masa ndaj tyre për shkak të qëndrimeve kritike publike.

Pas Ramës, fjalën e mori vetë deputetja Spiropali. Ish-kryetarja e Kuvendit i kundërshtoi akuzat, duke këmbëngulur se qëndrimet e saj nuk ishin kundër Ramës, por kundër mënyrës se si bëheshin emërimet dhe se si disa individë, sipas saj, e shfrytëzonin pushtetin.

Në debat ndërhynë edhe deputetët socialistë Fatmir Xhafaj, Pandeli Majko dhe Erion Braçe. Të tre e kundërshtuan përjashtimin e Spiropalit nga partia, duke mbështetur masa më të buta. Propozimi i Ramës nuk u hodh në votim. Pas përfundimit të Asamblesë, sekretari i përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, sqaroi se Spiropali dhe Ndreca përjashtohen nga forumet e partisë, por mbeten anëtarë të saj.

Veliaj e sfidon Ramën me mocion mosbesimi

Rreth një orë përpara nisjes së Asamblesë, Erion Veliaj u kishte dërguar kolegëve socialistë një letër dhjetëfaqëshe nga burgu i Fierit. Në të, kryebashkiaku i Tiranës kërkonte aktivizimin e procedurës statutore të mocionit të mosbesimit ndaj Edi Ramës. Si argument kryesor, ai paraqiste përqendrimin e vendimmarrjes në duart e kryetarit dhe dobësimin e forumeve të partisë.

“Edi Rama ka qenë një reformator i rëndësishëm i Partisë Socialiste. Por unë besoj se sot ai është kthyer në pengesën kryesore për reformimin e saj”, shkruante Veliaj.

Raa nuk e komentoi kërkesën për mocion mosbesimi. Në fjalimin e transmetuar për mediat, ai u ndal në paraburgimin e kryebashkiakut të Tiranës.

“Është një paraburgim absurd dhe mbetet një çështje e demokracisë”, tha Rama.

“Nuk mund t’ia marrësh kryeqytetit kryetarin e zgjedhur dhe t’ia mbyllësh brenda pa gjyq, por nga ana tjetër nuk mund të thuash që ky nuk mund të zëvendësohet se është në detyrë”, shtoi ai.

Kërkesa për mocion mosbesimi është episodi më i fundit i përplasjes mes Ramës dhe Veliajt. Ky i fundit e ka akuzuar më herët kryeministrin se përmes ministrit të Drejtësisë i kishte kërkuar të hiqte dorë nga drejtimi i Bashkisë së kryeqytetit. Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, i ka mohuar këto pretendime.

Socialistët e nisin fushatën për zgjedhjet vendore

“Partia Socialiste është zyrtarisht në fushatë”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, pas përfundimit të Asamblesë.

Socialistët nisin kështu përgatitjet për zgjedhjet vendore të 9 majit 2027, të cilat do të zhvillohen sipas ndarjes së re territoriale, me 46 bashki në vend të 61.

“Duhet të diskutojmë nga sot deri në 9 maj që të merremi vesh ‘çfarë Shqipërie duam’”, tha Rama, duke theksuar se “duhet komunikim i drejtpërdrejtë me qytetarët”.

Ndryshime u njoftuan edhe në organizimin e socialistëve në Tiranë. Rama e shkarkoi Erion Veliajn nga drejtimi politik i PS-së në kryeqytet, ndërsa Albana Koçiu dhe Ervin Demo u propozuan si bashkëdrejtues të organizimit partiak në Bashkinë e Tiranës.

“Drejtimi politik do të vazhdojë nga Ogerta Manastirliu”, sqaroi Klosi.

Asambleja e PS-së e miratoi gjithashtu platformën “Këshilltari i Bashkisë sime” për përzgjedhjen e kandidatëve për këshillat bashkiakë. Aplikimi do të jetë i hapur edhe për të interesuar jashtë propozimeve të forumeve partiake. Platforma do të drejtohet nga tre deputetët socialistë: Bora Muzhaqi, Ermal Pacaj dhe Pirro Vengu.

(DW)

Comment

*