Tiranë, 21 korrik 2026 – Mungesa e avokatit Plarent Ndreca me pretendimin se duhet të merrte pjesë në një proces civil në gjykatën e Tiranës, u vlerësua prej Gjykatës së Posaçme si veprim që sjell zvarritjen e procesit dhe ndaj tij u caktua gjobë në shumën prej 50 mijë lekësh.
Plarent Ndreca, avokat i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nuk u paraqit në seancën e zhvilluar të martën më 21 korrik në Gjykatën e Posaçme si dhe kërkoi shtyrje të seancës me pretendimin se ishte në një proces civil në Gjykatën e Tiranës. Kryesuesja e trupit gjykues, Elsa Ulliri bëri me dije se Ndreca ka qenë i pranishëm në seancën parardhëse dhe ka qenë në dijeni për zhvillimin e procesit të martën, ndërkohë që në orën 08:35 minuta kishte bërë kërkesë për shtyrje, me argumentin se në të njëjtën orë, duhet të mbronte në një çështje civile, ish-nënkryetarin e Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku.
Po ashtu, Ndreca i ka bërë me dije gjykatës se seanca në Gjykatën e Tiranës ishte caktuar dy muaj më parë dhe për arsye se është në një fazë të avancuar të gjykimit, pjesëmarrja atje ishte e domosdoshme.
Prokurori i çështjes, Ols Dado e cilësoi mungesën e avokatit të Veliajt si pengesë për zhvillimin e gjykimit dhe vërejti se janë në kushtet e shtyrjes së seancës. Ai kërkoi që të caktohet një avokat kryesisht, ndërsa ndaj Ndrecës të caktohet gjobë.
Gjykata pasi u tërhoq, vendosi të caktojë gjobë në masën prej 50 mijë lekësh ndaj avokatit Plarent Ndreca, me argumentin se ai ka qenë në dijeni për seancën dhe nuk ka paraqitur arsye objektive për mungesën. “Nga aktet e dorëzuara nga avokati konstatohet se ai ka pasur dijeni për datën e gjyqit civil dhe nuk ka marrë masa”, deklaroi ndër të tjera kryesuesja e trupit gjykues, si dhe e cilësoi mungesën e Ndrecës si shkak për zvarritjen e procesit.
Nga ana e gjykatës u caktua mbrojtëse kryesisht për Erion Veliaj, avokatja Valentina Teodoresku, ndërkohë që u pezulluan afatet e paraburgimit për këtë të pandehur.
Gjykata rrëzoi edhe një kërkesë të përsëritur të mbrojtësit të të pandehurës Ajola Xoxa, për shtyrjen e procesit deri në përfundimin e periudhës së raportit 63 ditor, të dhënë për arsye të sjelljes në jetë të fëmijës me operacion, më datë 29 qershor. Xoxa pretendon se në këto kushte nuk mund të realizojë mbrojtje efektive pasi do të marri pjesë në çdo séance. Gjykata vlerësoi se nga aktet e dorëzuarea prej të pandehurës, nuk ka të dhëna që tregojnë për pamundësinë e saj për të qenë e pranishme.
Megjithatë, për arsye se muaji gusht është pushim për institucionet e drejtësisë, seanca u shty për më datë 15 shtator në orën 10:00, kur raporti mjekësor prej 63 ditësh do të jetë përmbushur.
Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025, pasi akuzohet se së bashku me Xoxën ndërtuan një skemë komplekse korrupsioni dhe pastrimi parash për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e bashkisë së kryeqytetit dhe nga biznesmenë kontraktorë të saj, duke përdorur një rrjet kompanish dhe organizatash jofitimprurëse. Veliaj dhe Xoxa i kanë mohuar akuzat.
Disa prej seancave të mëparshme të këtij procesi, janë shtyrë për shkak të mungesës së avokatëve. Po ashtu, pati dhe shtyrje për disa muaj të seancës paraprake, situatë që ngriti shqetësimin e SPAK, që e cilësoi si një strategji për zvarritjen e procesit.