Bruksel, 23 korrik 2026 – Komisioni Evropian (KE) ka vendosur një gjobë prej 890 milionë eurosh për Google-in, pasi gjiganti teknologjik i ka shkelur në disa raste rregullat digjitale të Bashkimit Evropian (BE). Google nia është gjobitur me 460 milionë euro, “për shkelje të rregullave digjitale të BE-së” dhe me 430 milionë euro për mënyrën e operimit të Google Play.
Gjoba e parë
Sipas KE, Google, si platformë dominuese në tregun online, ka detyrimin të mos favorizojë shërbimet e veta në dëm të ofruesve të tjerë. Megjithatë, sipas analizave të Komisionit, kompania e ka bërë vazhdimisht pikërisht këtë.
KE tha se gjatë kërkimeve për një ndeshje të Kampionatit Botëror të Futbollit, shpesh shfaqej fillimisht një kuti informative e licencuar nga Google me të dhëna rreth ndeshjes, ndërsa faqet e pavarura të internetit mbi të njëjtin eveniment sportiv renditeshin më poshtë në rezultatet e kërkimit. Kjo konsiderohet shkelje e rregullave digjitale evropiane, pasi, sipas Aktit për Tregjet Digjitale (Digital Markets Act – DMA), renditja e rezultateve të kërkimit duhet të bazohet në kritere transparente, të drejta dhe jodiskriminuese.
Google-i, nga ana tjetër, i paraqet më dukshëm në rezultatet e kërkimit përmbajtjet dhe shërbimet e veta të licencuara në fusha si sporti, programet e përkthimit apo shërbimet për kërkimin e hoteleve, restoranteve, fluturimeve dhe lidhjeve hekurudhore, në krahasim me ofertat e konkurrentëve. Kjo realizohet, për shembull, përmes paraqitjeve të përmirësuara vizualisht, filtrave shtesë ose duke i vendosur këto rezultate në krye të faqes së kërkimit. Sipas Komisionit Evropian, kjo u jep produkteve të Google-it një avantazh të padrejtë ndaj ofruesve të tjerë të shërbimeve.
Gjoba e dytë
Google është gjobitur me 430 milionë euro edhe për mënyrën se si operon në “App Store”, paketën e aplikacioneve Google Play Store. Sipas KE-së, konsumatorët evropianë nuk informohen siç duhet se disa produkte apo funksione shtesë për lojërat e njohura online mund t’i blejnë shumë më lirë përmes platformave të tjera se në Play Store.
Sipas legjislacionit të BE-së për teknologjinë digjitale, zhvilluesit e aplikacioneve që i shpërndajnë produktet e tyre përmes Play Store duhet të kenë mundësinë t’i informojnë falas klientët për oferta alternative, shpesh më të lira. Gjithashtu, ata duhet të lejohen t’i drejtojnë përdoruesit drejt këtyre ofertave, në mënyrë që blerjet të kryhen, për shembull, në faqe interneti ose në paketa të tjera aplikacionesh.
Por, sipas KE-së, Google i pengon zhvilluesit e aplikacioneve të komunikojnë lirisht dhe të promovojnë këto oferta alternative, si edhe të lidhin kontrata me përdoruesit përmes kanaleve të shpërndarjes që zgjedhin vetë. Për më tepër, në disa raste Google vendos tarifa për këtë praktikë, të cilat, sipas KE-së, janë shumë më të larta se sa lejohet nga Akti për Tregjet Digjitale (DMA).
(r.m.)