Dhoma e Prokurorisë së Specializuar thotë se hetimet për pengim të drejtësisë do të vazhdojnë

Hagë, 17 nëntor 2026 – Prokurorja e Specializuar e Kosovës në Hagë, Kimbërli West, e ka mirëpritur aktgjykimin dënues ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit për pengim të administrimit të drejtësisë.

Ajo ka thënë se Dhoma e Prokurorisë së Specializuar do të vazhdojë të hetojë dhe të ndjekë penalisht të gjitha rastet e pengimit të drejtësisë, për të garantuar ruajtjen e integritetit të procedurave.

“E mirëpres aktgjykimin dhe dënimet e sotme të cilat japin një mesazh të qartë: ata që përpiqen të sabotojnë sundimin e ligjit, të zbulojnë materiale sekrete të gjykatës apo të ndërhyjnë tek dëshmitarët, do të vihen para përgjegjësisë pavarësisht statusit apo postit të tyre”, ka deklaruar West.

“Këto përpjekje minojnë ruajtjen e integritetit të procesit gjyqësor dhe atyre iu duhet dalë ballas”, ka theksuar ajo.

“ZPS-ja do të vazhdojë të jetë e palëkundur në hetimin dhe ndjekjen penalisht të veprave penale kundër administrimit të drejtësisë për të mbrojtur sundimin e ligjit”, është shprehur ajo.

Prokurorja West ka shpjeguar arsyet e ngritjes së aktakuzës ndaj Thaçit e të tjerëve në rastin e pengimit të administrimit të drejtësisë.

“Akuzat në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët për pengimin e administrimit të drejtësisë janë ngritur në bazë të audioincizimeve të individualizuara e të fshehta, të bëra me autorizimin e gjykatës, dhe materialeve të sekuestruara që demonstrojnë se zoti Thaçi, që ishte në paraburgim në Hagë, iu dha udhëzime të paligjshme vizitorëve të tij që të kontaktonin dëshmitarë të ZPS-së në procesin për krime lufte ndaj zotit Thaçi që ishte në proces”, ka thënë prokurorja West.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-shefi i AKI-së, Bashkim Smakaj, ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi dhe Fadil Fazliu, u dënuan më 41 muaj burgim efektiv dhe një muaj burgim me kusht, ndërsa ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj u shpall i pafajshëm.

(r.m.)

Comment

*