Dinamika popullative e Kosovës në fazën e fundit të demotransicionit

(Rekomandime, masa dhe politika për rehabilitimin e gjendjes)

 

Akademik Hivzi ISLAMI

Në shumë vende dhe rajone të botës sot zhvillohen debate të gjera për zhvillimin demografik dhe krizën në shumë komponentë të tij, kryesisht vitalë dhe migrues, që rezulton me reduktimin e vëllimit popullativ, gjë që ishte e kundërta deri para disa decenieve. Tabloja cilësohet si një krizë e thellë popullative. Edhe Kosova është e përfshirë në këto trende dhe procese, por ende nuk gjendet në një krizë serioze demografike. Situata është më e mirë se në vendet e Europës, si Perëndimore ashtu edhe Lindore. Madje, shumë më e mirë se në Shqipëri, ku norma e shtimit natyror është negative nga fillimi i dekadës së tretë të këtij shekulli.

Kosova akoma nuk e ka kaluar transicionin e plotë demografik dhe sot gjendet në nënetapën e demotransicionit të vonë, të përshkuar me mjaft specificitete në raport me shumë vende të tjera. Deri para disa dekadave regjimi i riprodhimit të popullsisë së Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi, sikurse në shoqëritë paratransicionale dhe paraindustriale, ishte shumë joracional dhe progresi popullativ mjaft i ngadalshëm, sepse ekuilibri demografik midis lindjes dhe vdekjes arrihej me humbje të mëdha njerëzish për shkak të vdekshmërisë së lartë, sidomos të foshnjave. Normat e lindshmërisë te popullata shqiptare arrinin gati nivelin maksimal të fekonditetit: gruaja lindte aq fëmijë sa që e konsumonte pjesën më të madhe të potencialit prokreativ apo aftësinë fiziologjike të lindjes. Arsyet janë rezultat i rrethanave të rënda historike, sociale, ekonomike, arsimore, kulturore dhe shëndetësore për një kohë të gjatë në Kosovë, sidomos për popullatën femërore. 

Është i njohur fakti se gjatë procesit të transicionit demografik norma e vdekshmërisë zvogëlohet më shpejt se ajo e lindshmërisë (me ndonjë përjashtim), prandaj në rrethanat e normës së lartë të natalitetit, rritet shtimi natyror, që në rastin e Kosovës shënon një progres të fuqishëm demografik pas viteve të 60-ta të shek. XX, kur ajo kishte vëllim të zgjeruar të riprodhimit (më 1965 arrinte në 6.62 fëmijë për një grua). Vlerat absolute të lindjeve dhe të shtimit natyror ishin më të larta në fund të viteve të 80-ta (më 1988 kishte 56.000 lindje ose rreth 30‰ dhe shtimi natyror afër 46.000 veta ose rreth 24‰). Ky trend vazhdoi edhe për disa vite, derisa vendi nuk u përfshi nga eksodi masiv, kryesisht të dhunshëm, në vitet e 90-ta.

Numri i përgjithshëm i popullsisë rezidente në Kosovë nga regjistrimi në regjistrim                                                                                                                                                   po zvogëlohet. Norma e lindshmërisë është në rënie të shpejtë, ku numri absolut i lindjeve të gjalla ka rënë nga rreth 34.000 në vitin 2010 (afër 16‰) në rreth 21.000 më 2024 (afër 13‰). Shtimi natyror në vitin 2024 është afër 12.000 veta (rreth 7,4‰)  Ndryshimi kaq i madh sigurisht është i influencuar edhe nga një varg faktorësh sociokulturorë, përfshirë sidomos përmirësimin e pozitës së gruas në vendimarrje për reproduktivitetin dhe numrin e pasardhësve (arsimi, punësimi). Norma e riprodhimit neto sot vlerësohet të jetë pak mbi një (më 1950 ishte 2.52; më 1995 ishte 2.6 fëmijë) dhe norma e fertilitetit të përgjithshëm rreth dy fëmijë për një grua (më 1950 ishte 7.85; më 1995 ishte 2.61 fëmijë). Nëse ky process vazhdon me këtë tempo, së shpejti edhe në Kosovë mund të rrezikohet përtëritja e thjeshtë dhe zëvendësimi i brezave (kjo ndodh kur norma neto e riprodhimit bie nën një dhe norma e natalitetit bie nën 10, që nënkupton hyrjen në një krizë demografike – tash është 13‰).

Te disa shtresa shoqërore të Kosovës ka kohë që është krijuar ndnjenja e mungesës së perspektivës dhe psikoza e humbjes së shpresës, gjë që ka ndikuar në rritjen dramatike të të dukurisë së braktisjes së vendit. Ndikimi i një varg determinantëve repulzivë (push factors), përfshirë kryesisht gjendjen e rëndë ekonomike dhe sociale (papunësia), motivet familjare e individuale dhe hapja e botës e ka kushtëzuar braktisjen e vendit, Ky proces me pasoja afatgjata demografike dhe shoqërore ka marrë përmasa brengosëse, aq më tepër që fenomenet dhe proceset bazë të ecurive demografike kanë karakter afatgjatë. Në demografinë teorike është e njohur ligjësia “vitet konsiderohen dekada, ndërsa dekadat shekuj”. Liberalizimi i vizave fillimisht e përshpejtoi emigrimin, kurse tash ka një rënie të shkallës së braktisjes. Ka edhe raste të klthimit nga migrimi sepse gjendja në kurbet nuk është e mirë, ndonëse gjendja në Kosovë është tepër e keqe. Sipas FMN-së, Kosova është vendi i dytë më i varfër në Europë, pas Moldavisë.

Në këtë kontekst veçohen rënia e normës së fertilitetit të përgjithshëm (pak mbi nivelin 2.1 fëmijë për një grua), shkallë kjo që aktualisht nuk e rrezikon riprodhimin e thjeshtë demografik (zëvendësimin e brezave), pastaj emigrimi i moshave të reja, fertile dhe të punës për arsye ekonomike e të tjera, shtyrja e moshës së martesës së të dyja gjinive dhe shtyrja e moshës së lindjes së fëmijës së parë, rritja e numrit të njerëzve që nuk hyjnë në martesë (celibati) dhe rritja e shkallës së divorcit, rritja e martesave kohabituese ku, kryesisht, nuk ka lindje të fëmijëve; rritja e numrit të dështimeve (abortit); rritja e moshës mesatare të popullsisë (nga 24 sa ishte dikur në 35 vjet në vitin 2024); rritja e kontingjentit të popullsisë mbi 65 vjeçare që e prek sistemin pensional e shëndetësor, tregun e punës, etj.; zvogëlimi i kontingjenteve të punës 20 -50 vjet; zvogëlimi i kontingjentit të parë mobilizues 18-34 vjet për meshkujt; rritja e normës së mortalitetit të përgjithshëm; rënia rapide e numrit të nxënësve (afër 150.000 nga shpallja e pavarësisë e deri më sot) dhe mbyllja e shumë shkollave fillore (rreth 40 në vitet 2013-2023); rritja e numrit të njësive banesore të zbrazëta (mbi 200.000); zvogëlimi i sipërfaqes së tokës bujqësore dhe tokës së punueshme; vjetërimi ose njerrja jashtë përdorimit e teknologjisë agrare; zvogëllimi i numrit të bizneseve private; reduktimi i numrit të krerëve të bagëtisë etj.  

Në Kosovë qysh tash shihen pasojat e normës së ulët të riprodhimit dhe të eksodit në rrudhjen e dimensionit popullativ dhe efetet e tyre në jetën ekonomike, sociale, nacionale, etj. Anash promovimin dhe zbatimin e njëfarë politike të mjegulluar popullative të variantit pronatalist, sepse, siç është dëshmuar, që nga vitet e 50-ta të shek. XX, qoftë contra, qoftë pro lindshmërisë, në shumë vende nuk janë arritur rezultate të dëshirueshme. Madje, kjo politikë ka qenë kontraproduktive. Sot investimi ekonomik dhe psikologjik në rritjen dhe edukimin e një fëmije është tejet i madh. Riprodhimi është sfera më intime dhe më e decentralizuar e jetës së njeriut. Disa dhjetra euro pagesë për një fëmijë, sa po ofron qeveria aktuale e Kosovës, është një rezon foshnjarak. Individi dhe faktori personal, në radhë të parë femra, luajnë rol vendimtar, duke mos u preokupuar me manifestimet negative në planin e përgjithshëm. Të kota janë thirrjet që u drejtohen njerëzve: “mos e braktisni vendlindjen!” dhe thirrjet drejtuar bashkatdhetarëve: “kthehuni, sepse po rrezikohet qenia kombëtare!”. Në teorinë e migrimeve është i njohur fakti se procesi i migrimit është stihik, sikundër edhe procesi i lindshmërisë, gjë që nënkupton se individi nuk preokupohet me manifestimet negative të migrimit në planin e përgjithshëm. Migrantit nuk i intereson çka po ndodh në nivelin jashtindividual apo jashtëfamiljar. Ai udhëhiqet nga interesi i tij dhe i familjes së tij.

Ndërkaq, sa i përket emigrimeve, çdo masë që duhej ndërmarrë për parandalimin e zbrazjes së Kosovës tashmë duket e vonuar dhe pa efekte. Megjithatë, diçka duhet bërë për të ndalur trendin e braktisjes së Kosovës nga shtresa që i përket kontingjentit fertil, i cili është vendimtar për përtëritjen normale biosociale të popullsisë, si edhe nga shtresa e popullsisë ekonomikisht aktive, veçanërisht nga rinia dhe nga pjesa më e arsimuar e saj. Vlerësohet se në periudhën e fundit dhjetëvjeçare Kosovën e kanë braktisur rreth 300.000 veta, ndërsa sipas EUROSTAT-it në periudhën 2020 – 2024 Kosovën e kanë braktisur 210.000 persona. Natyrisht që ka këtu edhe të kthyer. Disa sondazhe të vitit 2023 tregojnë se gati 60% e njerëzve nën 40-vjeç dëshirojnë ta braktisin Kosovën. Prandaj, rekomandohen masa dhe politika të rehabilitimit të gjendjes demografike. Disa nga rekomandimet e ekspertëve dhe njohësve të kësaj problematike janë:

1) Krijimi i kushteve dhe hapja e mundësive për investime në ekonomike, veçanërisht në sektorin privat. Por, paraprakisht duhet të ketë stabilitet politik dhe siguri të plotë. Britmat e përditshme të qeveritarëve që e krijojnë ndjenjën e pasigurisë dhe diskursi për rrezikun latent të shpërthimit të luftës me Serbinë i largojnë investitorët potencial;

2) Krijimi i kushteve për investime direkte të jashtme, duke u dhënë përparësi investimeve në degët propulzive, që kanë fuqi më të shpejtë akumuluese dhe që e rrisin normën e punësimit, si në qendrat urbane, ashtu edhe në zonat rurale; ngritja e kapaciteteve të industrisë ushqimore dhe industrisë përpunuese në përgjithësi me bazë lëndën e parë nga vendi, gjë që mundëson rritjen e shkallës së punësimit, veçanërisht të femrave. Kjo është çështje urgjente, derisa ka ende fuqi punëtore;

3) Mërgata jonë tashmë ka një përvojë solide në jetën ekonomike e biznisore, prandaj duhet të gjenden forma të joshjes që të investojnë potencialin e tyre financiar dhe eksprtizën e tyre në projekte të ndryshme zhvillimore në Kosovë. Por, mërgimtarëve, sikurse të gjithë investitorëve të mundshëm, duhet t’u jepen garanci ligjore e të tjera për investimet e tyre.  Mjerisht, sot për sot mërgata po keqpërdoret për interesa të ngushta politiko-partiake. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, mërgimtarët sjellin në Kosovë mbi një miliard euro në vit, por ato shpenzohen kryesisht në kapital të vdekur – shtëpi, banesa, vila dhe prona të patundshme joprodhuese e jofitimprurëse– si edhe në konsum.

4) Për përmirësimin e gjendjes në fshat dhe në bujqësi dhe pengimit të mëtejmë të eksodit rural dhe agrar, motivimit të njerëzve që të jetojnë në fshat dhe t’i punojnë pronat e tyre bujqësore, të ngrisin ferma bagëtish, delesh e dhish, të ngrisin plantacione, etj. janë të domosdoshme, sikur edhe një varg masash të politikës agrare, ngase kemi ardhur në situatë që atë ta shërojmë (kurativa agrare), sepse fazat e preventivës agrare në shumë lëmenj duket se tashmë janë kapërcyer.

5) Të hartohen politika të qarta të ruajtjes së sipërfaqeve bujqësore, në veçanti e tokës së bukës, kopshteve, vreshtave etj. Sipërfaqet bujqësore dhe tokat e punueshme po zvogëlohen me shpejtësi marramendëse nga ndërtimet në mënyrë stihike. Llogaritet se deri 1.000 ha të tokës bujqësore shndërrohen në tokë ndërtimore në vit. Dhjetëra mijëra hektarë të sipërfaqeve bujqësore kanë humbur vetëm në dy dekadat e fundit.

6) Të hartohen politika të favorshme për mbrojtjen e çmimeve të prodhimeve agrare dhe blegtorale të vendit;

7) Të hartohen politika për mbrojtjen dhe stimulimin e prodhuesve bujqësorë e blegtoralë (të aplikohen lehtësi doganore e tatimore për makinerinë bujqësore dhe të stimulohet ngritja e fondit blegtoral dhe rritja e prodhimtarisë.);

8) Të rriten fondet për subvencione e grante për bujqësi e blegtori, të jepen kredi me kushte të volitshme për shtimin e kapaciteve prodhuese dhe për modernizimin e procesit të prodhimit, të subvencionohen karburantet, plehrat, farërat dhe pajisjet për punë në bujqësi e në blegtori, të mbështetet krijimin e qendrave të grumbullimit të produkteve bujqësore e blegtorale, të stimulohet ngritja e kapaciteve për përpunimin e produkteve bujqësore e blegtorale, etj.

9) Të mbështetet ngritja profesionale e bujqve dhe blegtorëve; të hapen shkolla të specializuara për prodhues të prodhimeve bujqësore e blegtirale; të krijohen qendra trajnimi dhe qendra për këshilla profesionale për prodhuesit bujqësorë e blegtoral, etj.

10) Të ngritet niveli i efikasitetit të sistemit gjyqësor në zgjidhjen e kontesteve pronësore-juridike, të lirohen pronat e uzurpuara, të stimulohet dhe të mbështetet përbashkimi i prodhuesve të vegjël bujqësorë e blegtoralë, etj.

11) Të stimulohet dhe mbështetet forcimi i bazës materiale të prodhuesve bujqësorë e blegtoral përmes ngritjes së kapaciteteve të industrisë përpunuese të produkteve bujqësore e blegtorale dhe të nxitet e stimulohet zhvillimi i veprimtarive terciare në zonat rurale, siç janë turizmi familjar, zejtaria familjare, aktivitetet kulturore, sportive e rekreative, etj.

12) Të investohet në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, në modernizimi i rrjetit elektrik, ujësjellësit e kanalizimit, shërbimin e internetit etj. dhe

13) Të ofrohen shërbime publike cilësore: shkolla, ambulanca, biblioteka, shtëpi të kulturës, objekte sportive e rekreative, etj..

Këto janë disa nga parakushtet themelore për uljen e trendit të migrimit të popullsisë së Kosovës, sidomos nga fshati në qytet, dhe për ndërprerjen e trendit negativ të ecurive demografike.

 

(Përmbledhje e kumtesës së paraqitur në tryezën shkencore me temën “Politikat publike dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës”, të mbajtur në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, më 21 maj 2026)

 

Comment

*