Prishtinë, 24 korrik 2026 – Pas ushtrues së detyrës së Prersidentes së Kosovës, edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i ka bërë thirrje Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) që t’i refuzojë kërkesat e gjyqtarëve dhe stafit serb të administratës së gjykatave në veri për tërheqjen e dorëheqjeve nga sistemi i drejtësisë i Kosovës.
Ai ka thënë se serbët që ishin pjesë e gjyqësorit të Kosovës kishin dhënë dorëheqje në mënyrë të organizuar, për të sabotuar sistemin dhe institucionet shtetërore të Kosovës.
“Braktisja e organizuar dhe politikisht e motivuar e institucioneve të Republikës së Kosovës nga pjesëtarë të komunitetit serb, në fund të vitit 2022 ishte pikënisje e një serie veprimesh sabotuese ndaj shtetit. Qysh atëherë e kemi thënë dhe u kemi bërë thirrje të gjithë serbëve në institucione mos i braktisni ato, mos jepni dorëheqje, mos shkoni. Por, nuk e kemi thënë e as nuk kemi të drejtë të themi kthehuni. Kishim të drejtë etike të ju themi mos shkoni, por nuk kemi të drejtë kushtuese e ligjore tu themi kthehuni”, ka thënë ai.
Kurti ka theksuar se dorëheqjet e gjykatësve dhe stafit administrativ serb të gjykatave tyre ishin akt politik i organizuar, prandaj kërkesat e tyre duhet të trajtohen në përputhje me Kushtetutën dhe me ligjet e Kosovës.
“Largimi i tyre ka qenë akt politik, individual ndonëse i organizuar, por kthimi është çështje ligjore dhe kushtetuese. Nuk mund të ketë kthim që i mbivendoset kushtetutës e ligjit, veçmas kur braktisja ishte një akt sabotimi i ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë. Në këtë linjë gjithnjë sipas kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, këto dorëheqje i ka trajtuar kohë më parë Policia e Kosovës dhe ditë më parë edhe Këshilli Prokurorial. Teksa prisnim që edhe Këshilli Gjyqësor të vepronte njësoj kuptuam që mbledhja dështoi në mungesë kuorumi. Presim që në mbledhjen e radhës të marrë epilog të atillë kjo çështje”, ka thënë Kurti.
Para Kurtit, Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës që t’i refuzojë kërkesat e gjyqtarëve dhe stafit administrativ serb për tërheqjen e dorëheqjeve dhe t’ia përcjell asaj për dekretim lirimin e tyre nga detyra.
Disa ditë më parë, Haxhiu e dekretoi lirimin nga detyra të prokurorëve serbë që kishin dhënë dorëheqje po sikur gjyqtarët dhe stafi serb i administratës së prokurorisë. Ajo e bëri këtë pasi Këshilli Prokurorial i Kosovës i refuzoi kërkesat e tyre për tërheqjen e dorëheqjeve.
Bashkimi Evropian dhe ambasadat e disa vendeve perëndimore e kritikuan vendimin e Këshillit Prokurorial dhe dekretin e Haxhiut për lirim nga detyra të prokurorëve serbë dhe punëtorëve serbë të administratës së prokurorisë, me arsyetim se në organet e drejtësisë në Kosovë duhet të përfaqësohen të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.
Në nëntor të vitit 2022, rreth 130 gjyqtarë, prokurorë, punonjës administrativë dhe policë serbë kishin dhënë dorëheqje kolektive nga institucionet e drejtësisë e të sigurisë në pjesën veriore të Kosovës. Ky akt, i nxitur nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë që kontrollohet nga Beogradi, ishte akt kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për zëvendësimin e targave të automjeteve të lëshuara në Serbi me targa të lëshuara në Republikën e Kosovës.
Ditët e fundit u njoftua se Këshilli Prokurorial i Kosovës po e përgatit konkursin për plotësimin e vendeve që kanë mbetur bosh prej dorëheqjes së prokurorëve serbë.
Autoritetet e Kosovës kanë thënë se prokurorët dhe gjyqtarët që kanë dhënë dorëheqje do të kalojnë të gjitha procedurat e parapara me ligj, njësoj sikurse të gjithë kandidatët tjerë.
(r.m.)