EDP: “Vuçiqi po e mban peng Ballkanin”

Bruksel, 19 korrik 2026 – Partia Demokratët Evropianë (European Democrats Party – EDP) ka kundërshtuar propozimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, që vendet e Ballkanit Perëndimor të pranohen në Bashkimin Evropian (BE) si një bllok i vetëm.

EDP, në një reagim publik, citoi deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm i EDP-së, Sandro Gozi, i cili ka thënë se zgjerimi i BE-së bazohet në meritat individuale të secilit vend kandidat. EDP thekson se vendet që i zbatojnë reformat nuk duhet të pengohen nga “ato që lëvizin në drejtim të kundërt”.

“Propozimi i Presidentit Vuçiq për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian si një bllok i vetëm është thjesht i papranueshëm. Siç e bëri të qartë Sekretari i Përgjithshëm i EDP-së, Sandro Gozi, zgjerimi i BE-së është bazuar gjithmonë në meritat individuale të secilit vend kandidat. Vendet që zbatojnë reforma nuk duhet të pengohen nga ato që lëvizin në drejtim të kundërt. Vendet që realizojnë reforma duhet të lejohen të ecin përpara”, thuhet në reagim.

“Presidenti Vuçiq nuk mund ta përdorë rajonin si mburojë për dështimet e tij dhe as ta mbajë peng të ardhmen evropiane të fqinjëve të tij. Rruga evropiane u përket atyre që mbrojnë demokracinë, shtetin e së drejtës dhe vlerat evropiane – jo atyre që i minojnë ato”, thekson EDP.

Serbia ka ngecur në procesin e integrimit në BE. Në shumë fusha ka bërë edhe hapa prapa, si në fushë të politikës së jashtme, të sundimit të ligjit, të lirisë së medies dhe të zgjedhjeve e të drejtave të njeriut.

Mali i Zi dhe Serbia kanë bërë progress në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Në konferencën ndërqeveritare në Bruksel, të martën, Mali i Zi i mbylli dy kapituj: Kapitullin 8 (Konkurrenca) dhe Kapitullin 29 (Bashkimi Doganor), ndërsa Shqipëria i mbylli tre kapituj: Kapitullin 25 (Kërkimi Shkencor) Kapitullin 26 (Arsimi dhe Kultura) dhe Kapitullin 31 (Marrëdhëniet me Jashtë).

Maqedonia e Veriut dhe Bosnja e Hercegovina kanë ende shumë për të bërë.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE qysh në vitin 2022, por ende nuk i ka hapur negociatat.

(r.m.)

Comment

*