Tiranë, 26 shtator 2026 – Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Eric Wendt, mori zyrtarisht detyrën më 26 shtator, pasi paraqiti letrat kredenciale paraditen e së shtunës presidentit shqiptar, Bajram Begaj.
Pas ceremonisë zyrtare të dorëzimit të letrave kredenciale, Begaj dhe Wendt, sipas Presidencës shqiptare, zhvilluan një takim kokë më kokë.
Ambasada amerikane tha se Wendt dhe Begaj “riafrimuan partneritetin e fortë” mes dy shteteve dhe biseduan për “çuarjen përpara të përparësive të administratës së presidentit Donald J. Trump, përfshirë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, rritjen ekonomike dhe luftën kundër grupeve kriminale transnacionale”.
Ndërkaq, në njoftimin e Presidencës shqiptare theksohet se Begaj rikonfirmoi vendosmërinë e Shqipërisë për forcimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Shtetet e Bashkuara janë një partner i pazëvendësueshëm për avancimin e interesave kombëtare”, tha Begaj.
Ai po ashtu tha se Shqipëria do të vijojë të angazhohet plotësisht në thellimin e marrëdhënieve, duke u mbështetur në përparësitë e politikës së saj të jashtme dhe në përgjegjësitë që burojnë nga kjo marrëdhënie e ngushtë.
Wendt pason Yuri Kim, e cila përfundoi mandatin si ambasadore në qershor 2023. Për më shumë se tre vjet, misioni diplomatik amerikan në Tiranë është drejtuar në nivelin e të ngarkuarit me punë.
Ai e nis mandatin në Shqipëri në një kohë kur vendi po përballet me zhvillime të rëndësishme në fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit. Për më shumë se 100 ditë, protestuesit po kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të Qeverisë së tij.
Ndërkaq, nisja e hetimeve nga Prokuroria e Posaçme ndaj ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, nën dyshime për zbulim të të dhënave sekrete në interes të një personi të akuzuar për vepra penale, ka ngritur pikëpyetje mbi sigurinë kombëtare, por edhe marrëdhëniet e Shqipërisë, vend anëtar i NATO-s, me partnerët.
Wendt u konfirmua për postin e ambasadorit nga Senati amerikan në gusht të këtij viti.
Ai vjen në Shqipëri pas një karriere mbi 34-vjeçare në Ushtrinë e Shteteve të Bashkuara, gjatë së cilës ka mbajtur poste të rëndësishme në struktura amerikane dhe ndërkombëtare të sigurisë.
Gjatë seancës në Senat lidhur me nominimin e tij për ambasador në Tiranë, Wendt kishte deklaruar prioritetet e tij në Shqipëri do të jenë mbrojtja e qytetarëve amerikanë dhe avancimi i interesave të SHBA-së. Ai po ashtu ka identifikuar katër fusha kryesore të punës: sigurinë, mbrojtjen, ekonominë dhe funksionimin e Ambasadës amerikane në Shqipëri.
“Mbështetja për Shqipërinë në luftën kundër korrupsionit, si dhe kundër krimit të organizuar transnacional dhe trafikut të drogës të lidhur me kartelet e drogës në Amerikën Latine, do t’i bëjnë Amerikën dhe Shqipërinë më të sigurta”, deklaroi Wendt para Senatit.
Wendt kishte theksuar para Senatit se gjatë mandatit të tij do të mbështesë Shqipërinë në përmbushjen e angazhimeve të saj në NATO, përfshirë rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen deri në 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2035.
Ambasadori i ri amerikan kishte folur edhe për përvojën e tij me Forcat e Armatosura shqiptare. Si komandant i Forcave të Operacioneve Speciale të NATO-s, ai ka pasur nën komandë edhe pjesëtarë të Forcave Speciale shqiptare.
Wendt kishte deklaruar se kishte punuar me ta në terren në Shqipëri, ndërsa në Afganistan kishte shërbyer si zëvendëskomandant i një komande rajonale ku përfshiheshin edhe trupa shqiptare.
“Kam parë se pjesëtarët e Forcave Speciale shqiptare mishërojnë shpirtin luftarak të heroit shqiptar, Skënderbeut, dhe se populli shqiptar është krenar, punëtor dhe mikpritës”.
Ai kishte edhe forcimin e kapaciteteve të sigurisë kibernetike të të dy vendeve dhe mundësinë e nismave të përbashkëta në fusha të ndryshme ushtarake.
Në planin ekonomik, ai ka deklaruar se do të fokusohet në nxitjen e prosperitetit amerikan, duke argumentuar se kjo mund të sjellë përfitime edhe për Shqipërinë.
Sipas Wendt, bizneset dhe investitorët amerikanë duhet të kenë “kushte të barabarta kontraktuale dhe ligjore” për të investuar në sektorë si inteligjenca artificiale, energjia, infrastruktura, minierat dhe fusha të tjera ekonomike.