Gjykata rrëzon vendimin e SHBA-së për pezullimin e vizave të migrimit nga 75 vende, përfshirë Kosovën, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Nju Jork, 23 gusht 2026 – Një gjykatë federale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e ka rrëzuar vendimin e administratës së presidentit Donald Trump për pezullimin e vizave për emigrantët nga 75 vende të botës, në mesin e të cilave ishin edhe Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Gjyqtarja e Gjykatës Federale për Distriktin jugor të New Yorkut, Jeannette Vargas, cila e ka rrëzuar vendimin, ka vlerësuar se ky vendim ishte “në kundërshtim me ligjin” dhe se Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, kishte tejkaluar kompetencat e tij ligjore, raporton Radio Evropa e Lirë.

Gjyqtarja Vargas ka gjykuar se zyrtarët konsullorë janë udhëzuar gabimisht që të refuzojnë vizat e migrimit, duke u bazuar vetëm në vendin e origjinës së aplikuesit.

Administrata amerikane mund ta apelojë vendimin e gjykatës federale.

Departamenti amerikan i Shtetit kishte njoftuar për vendimin në janar të këtij viti.

“Departamenti i Shtetit do të pauzojë shqyrtimin e vizave për emigrantë nga 75 shtete, migrantët të cilët marrin ndihma sociale nga populli amerikan në nivele të papranueshme. Kjo ndalesë do të jetë në fuqi deri kur SHBA-ja të sigurohet që migrantët e rinj nuk do të përfitojnë nga populli amerikan”, shkroi Departamenti amerikan i Shtetit në platformën X në janar.

Para se të publikohej ky vendim, më 4 janar, presidenti amerikan, Donald Trump, e kishte publikuar në Truth Social listën e vendeve migrantët e të cilave marrin ndihmë sociale nga Qeveria amerikane.

Me vendimin e administratës së Presidentit Trump, pezullohej shqyrtimi i aplikimeve të vizave për migrantë nga shtetasit e 75 vendeve të botës, përfshirë migranët nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina.

Kosova ishte në mesin e vendeve të përfshira në këtë listë pasi, sipas listës së publikuar nga Trump, 46 për qind e emigrantëve kosovarë që jetojnë në SHBA marrin ndihmë sociale nga Qeveria amerikane.

Donald Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë me premtimin për dëbimin e miliona emigrantëve pa dokumente dhe që atëherë ka ndërmarrë një sërë masash për përshpejtimin e dëbimeve dhe reduktimin e kalimeve të paligjshme të kufirit.

Lista e vendeve migrantët nga të cilat janë prekur nga vendimi i administratës së Trumpit:

Afganistani, Shqipëria, Algjeria, Antigua dhe Barbuda, Armenia, Azerbajxhani, Bahama, Bangladeshi, Barbadosi, Bjellorusia, Belize, Butani, Bosnja e Hercegovina, Brazili, Burma, Kamboxhia, Kameruni, Kepi i Gjelbër, Kolumbia, Bregu i Fildishtë, Kuba, Republika Demokratike e Kongos, Republika Domenikane, Egjipti, Eritrea, Etiopia, Fixhi, Gambia, Gjeorgjia, Gana, Grenlanda, Guatemala, Guineja, Haiti, Irani, Iraku, Xhamajka, Jordania, Kazakistani, Kosova, Kuvajti, Kirgizia, Laosi, Libani, Liberia, Libia, Maqedonia e Veriut, Maroku, Nepali, Nikaragua, Nigeria, Pakistani, Republika e Kongos, Rusia, Ruanda, San Kits dhe Nevisi, San Lucia, San Vincentini dhe Gernadin, Senegali, Sierra Leone, Somali, Sudani i Jugut, Sudani, Siria, Tanzania, Tajlanda, Togo, Tunizia, Uganda, Uruguai, Uzbekistani dhe Jemeni.

Donald Trump, gjatë fushatës zgjedhore për mandatin e dytë presidencial, kishte premtuar se do të dëbonte miliona migrantë pa dokumente. Pasi Trump e ka marrë detyrën, administrata e tij ka ndërmarrë një sërë masash me synim përshpejtimin e dëbimeve dhe uljen e numrit të kalimeve të paligjshme të kufijve të SHBA-së.

(r.m.)

Comment

*