Prishtinë, 14 korrik 2026 – Kosova nuk pati përfaqësues në Samitin e NATO-s në Ankara dhe për këtë kishte reagime e qëndrime të ndryshme në Kosovë.
Kryeredaktori i Telegrafit, Muhamet Hajrullahu, i cili e përcolli samitin nga vendi i ngjarjes, tha se përfaqësues të lartë të NATO-s i kishte pyetur drejtpërdrejt për këtë çështje gjatë një takimi të mbyllur për medie nga Ballkani, Ukraina, Bjellorisia e disa vende tjera. Ai tha se ka marr prgjigje se Ballkani nuk ishte në agjendën e samitit, por është në agjendën e NATO-s.
“Ballkani nuk ka qenë në agjendën kryesore të këtij samiti. Në pyetjen e Telegrafit pse nuk ishte pjesë e agjendës, u tha se Ballkani Perëndimor mbetet në agjendën e përgjithshme sa i përket stabilitetit”, deklaroi Hajrullahu në podcastin “Përballje”, transmeton Telegrafi.
Ai tha se NATO përcolli mesazhin e nuk do të lejojë krijimin e një vakuumi të sigurisë në rajon e në Kosovë.
“NATO nuk do të lejojë vakuum të sigurisë në rajon. KFOR-i është këtu për të ofruar siguri dhe stabilitet”, theksoi ai.
Hajrullahu shpjegoi se Kosova nuk ishte vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor që nuk u përfaqësua në samit. Ai tha se as Bosnja e Hercegovina dhe Serbia nuk kishin delegacione në samit.
“Kosova nuk ishte e përfaqësuar, Bosnjë-Hercegovina nuk ishte e përfaqësuar dhe Serbia gjithashtu nuk ishte e përfaqësuar. Aty ishin shtetet anëtare të NATO-s: Shqipëria, Mali i Zi, Kroacia dhe Maqedonia e Veriut”, tha Hajrullahu.
Megjithëse Ballkani Perëndimor nuk ishte në agjendën e samitit, NATO bëri të qartë se stabiliteti i rajonit vazhdon të jetë pjesë e angazhimit të saj të përgjithshëm.
Kosova u përmend në Samit nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i cili tha se Turqia e udhëheq misionin e KFOR-it në Kosovë dhe se ka ky vend një prani të konsiderueshme ushtarake në Kosovë.
(r.m.)