Prishtinë, 29 qershor 2026 – Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, dhe kryeministri në detyrë Albin Kurti, e kanë vlerësuar lart rolin e Shteteve të Bashkluara të Amerikës (SHBA) për sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë.
Haxhiu ka thënë se Kosova do të jetë përherë mirënjohëse ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës për kontributin jetik për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin.
“Kosova mbetet përherë mirënjohëse ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Forcave të Armatosura Amerikane për kontributin jetik dhe të pazëvendësueshëm në lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin tonë”, ka theksuar ajo në Kampin Bondsteel, në ceremoninë e pranimit të komandës së Grupit për Mbështetje Rajonale në Ballkan nga koloneli Kurt A. Rorvik.
Ajo i ka uruar suksese në detyrën e re kolonelit Rorvik, me besimin se bashkëpunimi ndërmjet komandës së Kampit Bondsteel dhe institucioneve të Republikës së Kosovës do të vazhdojë të forcohet më shumë, në shërbim të sigurisë së vendit, stabilitetit rajonal dhe të mirës së qytetarëve tanë.
Haxhiu e ka vlerësuar punën e komandantit të deritashëm të komandës së Grupit për Mbështetje Rajonale në Ballkan.
“Në këtë rast të rëndësishëm, vlerësojmë shërbimin dhe përkushtimin e komandantit në largim, si dhe bashkëpunimin e deritanishëm të Camp Bondsteel me institucionet e sigurisë, autoritetet civile dhe qytetarët e Kosovës”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.
Edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka vlerësuar rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ruasjtjen e paqes e stabilitetit në Kosovë dhe në mbarë rajonin.
“Roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe KFOR-it në përgjithësi ka qenë dhe mbetet i pazëvendësueshëm në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në vend dhe rajon”, ka theksuar Kurti.
Grupi për Mbështetje Rajonale në Ballkan shërben në kuadër të Ushtrisë Amerikane për Evropën, Ai ofron mbikëqyrje teknike, ekspertizë dhe ndihmë për Komandën Rajonale – Lindje në Kampin Bondsteel, në kuadër të KFOR-it.
(r.m.)