Intelektuali që gjithnjë kishte diçka me vlerë për të thënë

Akademik Rexhep ISMAJLI

EMIN RIZA (1937-2026)

In memoriam

 

Ndarja nga kjo jetë e Emin Rizës për familjen është humbje e madhe. Për institucionet ku punoi, për kolegët, për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, për kolegët, është e pakompensueshme. Për mua është humbje e një miku të qetë, të dashur e të shtrenjtë që kishte gjithnjë diçka me vlerë për të thënë, por që kurrë nuk impononte asgjë.

 

Më 22 korrik 2026 në Tiranë u nda nga kjo jetë një nga intelektualët e shquar, studiuesi frymëgjatë i trashëgimisë kulturore shqiptare, konservuesi dhe revitalizuesi i arkitekturës tradicionale, gjithsesi në radhë të parë të qytetit shqiptar, akademik, prof. dr. Emin Riza.

Akademik Riza hyn ndër ata studiues dhe intelektualë shqiptarë që u formuan në rrethana jo shumë të lehta të pjesës së dytë të sh. XX dhe që vepruan dhe në çerekun e parë të sh. XXI në rrethana krejtësisht të tjera. Në të vërtetë, atij qysh në fëmijni i kishte rënë hise të bëhej dëshmitar lëvizjesh shumë dinamike dhe me shqetësime. Gjykuar sipas familjes së tij të ngushtë, me dy linja të fuqishme në jetën e atëhershme shqiptare – i ati intelektual potent me rezultate krejtësisht të veçanta në studimet në vend dhe pastaj në Francë (ku brenda një kohe të shkurtë u diplomua për filologji dhe për jurisprudencë), Selman Riza nga Gjakova, që sapo kishte nisur jetën e tij si profesor i shquar i Liceut të famshëm të Korçës, ndërsa e ëma Sabire Butka e familjes së intelektualëve dhe veprimtarëve po ashtu të shquar nga jugu i Shqipërisë, atij i shfaqej përpara mundësia e një jete të lumtur dhe në nivelet më të larta që kishte Shqipëria atëherë. Dhe ashtu kishte nisur, por kur Emini kaloi moshën tre vjeç, ndodhi pushtimi italian i Shqipërisë, ndërsa i ati i tij, Selmani nuk ngurroi të merrte pjesë në protestat në Korçë, me çka nisi jeta tjetër: e pushuan nga puna, e burgosën dhe internuan në Itali, pastaj vijoi veprimtarië patriotike në Kosovë, e burgosën për arsye politike (të rezistencës) më 1945 në Tiranë (atëherë Emini ishte 8 vjeç), vazhdoi burgosja në Prishtinë dhe internimi në Sarajevë, punoi më pak se tre vjet në Prishtinë dhe jetoi i ndarë nga familja deri në fund të vitit 1955 (kur Emini tashmë ishte 18 vjeç). Në tërë moshën e adoleshencës dhe të rinisë së hershme i ndarë nga i ati, e me hijen e babait ish-të burgosur të ekstraduar në Jugosllavi, e prej andej të deportuar pastaj, por me përpjekjet e pafund të së ëmës Sabire, ai mori dijet që mund të merreshin atëherë në Shqipëri dhe u brymos me karakterin e të riut të kujdesshëm, aktiv e të urtë, të qëndrueshëm. Me tërë kujdesin e nevojshëm nga jashtë shtëpisë dhe me rigorozitetin e punës dhe të shtrëngesave, Emini mori edukimin më të mirë profesional e tjetër që mund të merrej në ato rrethana në Tiranë, bëri studime të shkëlqyera në inxhinieri të ndërtimit në Universitetin e Tiranës dhe i hapi vetes mundësinë për të punuar në Institutin e monumenteve, ku e kaloi tërë shekullin e punës. Përveç personalitetit të t’et që tashmë njihej si gjuhëtar i shquar për rigorozitetin shkencor e moral, ai në hije kishte dhe përfytyrimin krejt të mjegullt të dajës së tij Qemal Butka, arkitekt i shquar qysh para LDB-së në Shqipëri, por i mërguar pastaj në Egjipt, në Turqi e në Amerikë, ku po ashtu kishte zhvilluar veprimtari të dallueshme profesionale. Në fazën e fundit të jetës së tij Emini u mor dhe me punën e Qemalit dhe shkroi një monografi për të.

Në tërë punën e tij në Institutin e monumenteve Emini u mor me gërmimet, restaurimet, ruajtjen dhe revitalizimet e monumenteve nëpër zona të ndryshme të Shqipërisë dhe në atë punë u shqua për zellin, dijen dhe vullnetin për të mësuar dhe punuar. Natyrisht dhe për kujdesin ndaj të tjerëve. Të gjitha këto e bënë atë shumë të suksesshëm në punë. Instituti ku ai kaloi tërë shekullin e punës u rrit bashkë me specialistët e fushave e të periudha të ndryshme të hulumtimit. U specializua sidomos në fushën e arkitekturës së qyteteve të Shqipërisë, fushë në të cilën arriti suksese të lakmueshme. Trashëgimia kulturore në përgjithësi, kërkimet për fushën e ndërtimeve të banesave (shtëpive) dhe të hapësirave të tjera të jetesës në qytetet shqiptare në histori e detyruan atë të ndërlidhte fusha të ndryshme studimi – studimet e inxhinierisë së ndërtimit me studimet e shoqërisë përkatëse të ndërtimeve, pra edhe të historisë së banorëve që popullonin ato ndërtime. Kështu ai ndërlidhte fushat e studimeve shqiptare, përgjithësisht historike-sociale, e bashkë me to të shijes, pra të aspekteve të artit, me studimet inxhinierike. Kështu ai u rrit në një studiues të shquar për njohjet e thelluara jo vetëm inxhinierike e arkitekturale, po edhe historike-albanologjike e ballkanologjike në fushat e trashëgimisë kulturore në përgjithësi.

Në veprimtarinë e tij të gjerë e frymëgjatë, Emin Riza krahas me studimin e arkitekturës popullore të qyteteve shqiptare, i shtrinte hulumtimet e tij te rrethanat që kishin kushtëzuar lindjen dhe zhvillimin e tipeve të caktuara arkitekturale të qyteteve në përgjithësi, nevojat e punës e të jetesës në sistemet e caktuara shoqërore, kushtëzimet materiale dhe lëvizjet e tjera me peshë për atë zhvillime – të prodhimit, të raporteve shoqërore, të tregut, etj. Dhe në këto rrugë ai ia dilte të sillte shpjegime të gjera për arsyet e lindjes së bërthamave të qyteteve, të zhvillimit të tyre bashkë me arkitekturën përkatëse. Kështu ai gjente shpjegime për përhapjen e tipave të caktuar të ndërtimeve, të planifikimit të bërthamave të qyteteve përmes shpjegimeve të kushtëzimit të ndërtimeve nga zejet, nga mënyra e jetesës, nga tregu, nga mbrojtja nga rreziqet, nga nevojat për ndërtime kulti, etj. Rezultatet i thoshin se në shumë raste të qyteteve shqiptare, sidomos në Kosovë, kemi të bëjmë me shtëpi të periudhave të mesjetës e më vonë (pra të sh. XV-XIX), kur ndeshen jo vetëm manifestime orientale (sundimi osman), po edhe të Europës mesjetare. Duke studiuar rritjen e numrit të shtëpive nëpër ato qytete, ai nxirrte dhe përfundime të tjera lidhur me rritjen e popullsisë, të veprimtarive të caktuara ekonomike, të veprimtarive të kultit, etj.

Në përgjithësi Emin Riza realizoi në jetën e tij të punës shumë të frytshme veprimtari të shkëlqyera të restaurimit të arkitekturës së qyteteve, të ruajtjes së monumenteve dhe të shfaqjes së tërë begatisë origjinale të tyre. Në jetën e tij ai ia ka dalë të realizojë studime monografike, disa më të gjera, disa më pak, të gati të gjitha qyteteve shqiptare, konkretisht të Tiranës, të Beratit, të Shkodrës, të Korçës, të Gjakovës, të Prizrenit, të Pejës, të Prishtinës së sh. XVIII-XIX, të Gjirokastrës, të Krujës e të shumë mjediseve të tjera. Disa prej studimeve të tij monografike mbeten shembuj të shqyrtimit dhe të paraqitjes monografike të arkitekturës së qytetit përkatës. 

Në veprimtarinë e tij profesionale-shkencore dr. Emin Riza u shqua dhe me veprimtarinë botuese, konkretisht të revistës së specializuar shkencore Monumentet, ku ishte kryeredaktor, e më vonë edhe i revistës Studia albanica me spektër shumë më të gjerë se trashëgimia kulturore.

Emin Riza u shqua dhe në fushën e krijimit të bazave ligjore për hulumtimet e trashëgimisë kulturore dhe ndërmori nismën e hartimit të ligjit për trashëgimi kulturore në Shqipri dhe më vonë edhe në Kosovë.

Puna e tij hulumtuese-shkencore, botimet serioze në Shqipëri, në Kosovë, në Greqi, në Turqi dhe në vendet europiane, e bënë të njohur si një nga specialistët e shquar në fushat e konservimit e të eksplorimit të trashëgimisë kulturore materiale në përgjithësi dhe si të tillë institucionet ndërkombëtare si UNESCO e mbanin ndër konsulentët e tyre.

Në vitet ’90 të shekullit të kaluar Emin Riza ishte ndër të njohurit që vepronin në fushën e bashkëpunimit kulturor-shkencor midis Shqipërisë dhe Kosovës atëherë në vështirësi. Si sekretar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (në një kohë të vështirë për Akademinë) ai i mbështeti të gjitha nismat në fushat shkencore e të kulturës, u shqua në organizime të natyrës shkencore si konferenca ndërkombëtare për Kosovën e vitit 1993, e në të gjitha ndërmarrjet e përbashkëta lidhur me Seminarin e veprimtaritë e tjera.

Serioziteti në punë, rezultatet e dijes së jashtëzakonshme e të studimeve të tij frymëgjata dolën në pah edhe me rastin e përgatitjes së dokumentacionit shkencor për vendosjen e Beratit e të Gjirokastrës në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, çka në atë kohë shihej si një sukses i veçantë, edhe i tij.

Krejt natyrshëm që për punën e tij ekselente akademik Emin Riza u shpall “qytetar nderi” i Beratit dhe “qytetar nderi” i Gjirokastrës.

Emin Riza u zgjodh qysh në vitet e hershme ’90 anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqi-përisë, ndërsa më 2006 anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Kosovës.

Emin Rizën e kam njohur përmes Selmanit në vitet ’70, por pak më afër në vitet ’90, e më vonë pata mundësinë të bashkëpunoja me të kur po përgatisja botimin e veprave të Selman Rizës, për çka më ka ndihmuar pa kursim. Në periudhën e pasluftës patëm mundësi më të mëdha të komunikonim dhe të afroheshim edhe familjarisht. Këtë afrim e bënte edhe më të dukshëm bashkëshortja e tij e mrekullueshme, e ndjera Diana, cila madje ndërmori punën e mundimshme të radhitjes në kompjuter të veprës postume të Selmanit – Mendime të shkëputur të një vazhde së vetme nga dorëshkrimi në 13 fletore jo lehtë të lexueshme.

Ndarja nga kjo jetë e Emin Rizës për familjen është humbje e madhe. Për institucionet ku punoi, për kolegët, për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, për kolegët, është e pakompensueshme. Për mua është humbje e një miku të qetë, të dashur e të shtrenjtë që kishte gjithnjë diçka me vlerë për të thënë, por që kurrë nuk impononte asgjë.

Kujtimi për Eminin për të gjithë ne që e deshëm, ashtu si për ata që i kanë vlerësuar dhe i vlerësojnë rezultatet e mëdha të punës së tij të palodhshme, mbetet i përjetshëm.

Comment

*