Beograd, 22 korrik 2026 – Drejtori i Bordit Ekzekutiv të Forumit për Marrëdhënie Etnike, Dushan Janjiq, ka thënë se deklarata e ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviq, se po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit do ta spastronte Kosovën etnikisht nga shqiptarët, është më e rëndë se vetë politika e Millosheviqit.
“Në fund të fundit, mund të them se kjo deklaratë është edhe më drastike se vetë politika e Millosheviqit. Ajo nënkupton se Millosheviqi nuk e përfundoi atë që kishte nisur dhe bën thirrje që ajo të përfundohet”, ka thënë ai.
Janjiq ka thënë se njëjtë si ministrja Paunoviq mendojnë edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuciq dhe ministri i Brendshëm, Ivica Daçiq. Ai e ka cilësuar ministren Paunoviq si instrument të Vuçiqit, Daçiqit e të tjerëve.
“Paunoviqi nuk është e vetme në këtë mendim. Shumë njerëz mendojnë njësoj, veçanërisht ata serbë nga Kosova që menjëherë pas largimit erdhën në Serbi, morën poste dhe sot janë pjesë e një fushate më të gjerë, të udhëhequr nga Aleksandar Vuçiq. Sa i përket Paunoviqit, besoj se ajo personalisht mendon kështu dhe duhet të mbajë përgjegjësi personale për deklaratat e saj, sepse për to duhet të përgjigjet. Së paku, nuk mund dhe nuk duhet të ushtrojë funksione publike. Megjithatë, në këtë rast ajo është vetëm një instrument i një fushate më të gjerë, ku përfshihen edhe Daçiqi, Vuçiqi dhe të tjerë”, ka thënë ai.
Janjiq ka thënë se në Serbi ka mbetur pothuaj i njëjti mendim politik për Kosovën që nga koha e Millosheviqit.
“Mund të them një gjë të trishtueshme, por të vërtetë: shumë të rinj sot nuk e shohin Kosovën si një realitet apo si një vend ku jetojnë njerëz, por si një mit. Dhe ai mit është pikërisht miti i Vidovdanit, me të cilin nisën edhe luftërat”, ka thënë ai.
Sipas Janjiqit, deklarata e ministres Paunoviq nxjerr në pah të vërtetën para së cilës nuk mund t’I mbyllë sytë askush.
“Duhet të them, sado paradoksale të tingëllojë, se në njëfarë mënyre është mirë që ndodhi ky incident, sepse tani askush nuk mund t’i mbyllë më sytë para realitetit”, është shprehur ai.
Janjiq ka thënë se pajtohet që në skenën politike të Serbisë sot nuk ka asnjë politikan të moderuar, por ka theksuar se do të ishte e pavërtetë të thuhet se shumica e qytetarëve në Serbi, veçanërisht ata të pakënaqurit me pushtetin aktual, përfshirë lëvizjen studentore dhe protestuesit, nuk mendojnë ndryshe.
(r.m.)