Kosova dhe Mali i Zi nënshkruan marrëveshje për njohjen e ndërsjellë të shërbimeve të besuara dhe identifikimit elektronik

Prishtinë, 17 korrik 2026 – Kosova dhe Mali i Zi nënshkruan të enjten marrëveshje për njohjen e ndërsjellë të shërbimeve të besuara dhe identifikimit elektronik.

Marrëveshja u nënshkrua në Prishtinë nga ministri në detyrë i Digjitalizimit dhe Administratës Publike i Kosovës, Lulëzon Jagxhiu, dhe ministri i Administratës Publike i Malit të Zi, Marash Dukaj.

Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, Jagxhiu tha se kjo marrëveshje do t’u mundësojë qytetarëve dhe bizneseve të të dyja vendeve njohjen e ndërsjellë të shërbimeve të kualifikuara të besuara dhe skemave të identifikimit elektronik.

“Kjo marrëveshje ka të bëjë me njohjen e shërbimeve të kualifikuara të besuara dhe të skemave të identifikimit elektronik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi. Ne, Kosova me Malin e Zi, kemi marrëdhënie shumë të mira miqësore që bazohen në vlerat e përbashkëta, respektin e ndërsjellë dhe aspiratat e përbashkëta që kemi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, tha ai.

“Marrëveshja e sotme është edhe një hap i radhës drejt forcimit të këtyre marrëdhënieve tona bilaterale. Kosova është duke avancuar në agjendën e saj të reformave në fushën e transformimit digjital. Platforma e-Kosova është një prej shtyllave kryesore, ku qytetarët tanë tashmë kanë qasje në mbi 320 shërbime elektronike për qytetarët dhe bizneset. Njëkohësisht, po punohet në shtyllat e transformimit digjital që kanë të bëjnë me interoperabilitetin — pra zgjerimin dhe modernizimin e platformës së interoperabilitetit; pastaj ndryshimin e qasjes sonë ndaj ofrimit të shërbimeve, duke u fokusuar gjithnjë e më tepër në shërbime që bazohen në ngjarje jetësore, pra shërbime të personalizuara, të integruara dhe proaktive; pastaj tranzicionin drejt teknologjive Cloud, modernizimin e rrjetit qeveritar; dhe një prej këtyre reformave ka të bëjë edhe me implementimin e identifikimit elektronik dhe kuletës digjitale (Digital Ëallet), të cilën jemi duke e avancuar dhe jemi në proces të lansimit të saj”, shpjegoi ai.

Edhe Dukaj tha se kjo marrëveshje është një hap i rëndësishëm për qytetarët, bizneset dhe procesin e integrimit evropian. Ai tha se me këtë marrëveshje hiqen kufijtë digjitalë ndërmjet dy shteteve.

“Kjo marrëveshje ka rëndësi shumë të madhe, në radhë të parë për qytetarët tanë të të dy vendeve, të cilët jetojnë e punojnë në Kosovë, në Republikën e Kosovës, por natyrisht edhe në Mal të Zi. Dhe jo vetëm për ta, por edhe për bizneset dhe për krejt bashkëpunimin që është kryesor për integrimin tonë të përbashkët në Bashkimin Evropian. Siç e dini, Mali i Zi prin formalisht këtyre proceseve dhe besoj e shpresoj që t’i mbyllim ato deri në fund të vitit 2028. Ne jemi të gatshëm që përvojat tona në fusha të ndryshme t’i ndajmë edhe me Kosovën, por natyrisht edhe të mësojmë shumë nga Republika e Kosovës, sepse pothuajse gati aty-aty jemi – në disa fusha jemi ne para, në disa fusha është Kosova. Uroj dhe besoj se ky bashkëpunim do të intensifikohet edhe më shumë në të ardhmen”, tha Dukaj.

(r.m.)

Comment

*