Prishtinë, 29 tetor 2026 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot një delegacion prej 11 anëtarësh të Komisionit për Politikë të Asamblesë Parlamentare të NATO-s nga nëntë shtete anëtare të Aleancës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kurti ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet prioritet strategjik i vendit. Ai ka thënë se kjo ëshrë e rëndësishme për paqe të qëndrueshme dhe siguri afatgjatë në Ballkanin Perëndimor dhe Evropë.
Kurti ka thënë se në takim është diskutuar për bashkëpunimin e Kosovës me Aleancës si edhe për situatën e sigurisë në Kosovë dhe në rajon, për ngritjen e kapaciteteve mbrojtëse të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe për aftësimin profesional të pjesëtarëve të saj, në përputhje me politikat dhe standardet e NATO-s.
Kurti ka ritheksuar edhe rëndësinë që ka integrimi euroatlantik për sigurinë dhe të ardhmen e Kosovës.
Postimi i plotë i Kurtit:
Për Republikën e Kosovës anëtarësimi në NATO është prioritet strategjik, që i shërben paqes së qëndrueshme dhe sigurisë afatgjate të Ballkanit Perëndimor dhe mbarë Evropës.
Sot pata nderin dhe kënaqësinë të pres në Zyrën e Kryeministrit delegacionin, prej 11 anëtarësh nga 9 shtete të ndryshme, të Komisionit për Politikë të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, me të cilët biseduam për bashkëpunimin dhe rrugën përpara.
Diskutuam për përparimin demokratik dhe zhvillimin e vazhdueshëm ekonomik, për situatën e sigurisë në vend dhe rajon, sikurse për ngritjen e kapaciteteve mbrojtëse të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe aftësimin profesional të ushtarakëve tanë, në përputhje me politikat dhe standardet e Aleancës së Atlantikut të Veriut.

(r.m.)