Kurti e Abdixhiku pajtohen të vazhdojnë bisedimet për “stabilitet institucional”

Prishtinë, 10 korrik 2026 – Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u takua në cilësinë e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, në kuadër të konsultimeve me partitë politike për formimin e institucioneve të reja.

Pas takimit, Kurti tha se diskutimet u zhvilluan në një atmosferë konstruktive dhe u përqendruan në aktualitetet politike, dinamikat institucionale dhe orarin përpara, sa i përket konstituimit të institucioneve të legjislaturës së 11-të. Ai tha se ata do të vazhdojnë bisedimet për “konceptet dhe parimet” si edhe për “orare dhe funksione”.

“Ende nuk kemi ndonjë konkluzion apo të arritur të cilën do të mund ta ndanim me ju, së bashku, këtu. Unë jam optimist për rrugën përpara. Jam me shpresë që racionaliteti i cili po mbizotëron do të vazhdojë të ekzistojë në këto takime. Prandaj po theksoj se është takimi i parë, meqë do të ketë edhe takime të tjera. Në njërën anë diskutojmë koncepte e parime dhe në anën tjetër, gjithashtu, edhe orare dhe funksione. Prandaj është një ndërmarrje e madhe, e gjerë, e cila kërkon besim e mirëbesim dhe e cila kërkon kohë për realizim”, tha ai.

Kurti tha se të dy palët angazhohen për zgjidhjen e ngërçit politik që do të shmangte shpalljen e zgjedhjeve të tjera të parakohshme. Ai theksoi se angazhohet për arritjen e një marrëveshjeje politike për “president konsensual”.

Ndërkaq Abdixhiku tha se në takim me Kurtin diskutuar për stabilitetin institucional dhe nevojën për të shmangur zgjedhjet e reja.

“Folëm për stabilitetin institucional dhe shmangien e domosdoshme të zgjedhjeve. Në këtë fazë u dakorduam që t’i vazhdojmë bisedimet”, deklaroi Abdixhiku.

Ai e cilësoi takimin si “hap të mirë”.

“Në këtë takim ishte e pamundur të flasim për të gjitha temat, por ishte hap i mirë për të vazhduar tutje me bisedime”, tha ai.

Abdixhiku shprehu shpresën se LVV dhe LDK do të ariijnë një marrëveshje në bisedimet që do të vazhdojnë.

“I kemi 30 ditë kohë për konstituimin e Kuvendit dhe 60 ditë për zgjedhjen e presidentit. E rëndësishme është që po flasim para se të merren hapa të njëanshëm. Kjo jep shpresë”, tha ai.

Sipas Abdixhikut, në takim me Kurtin nuk është diskutuar për emra konkretë të udhëheqësve të institucioneve, përfshirë edhe atë të presidentit të ardhshëm.

“Ne biseduam për parime dhe, për LDK-në, këto parime kërkojnë balancën demokratike në vend. Në këtë balancë duhet të kontribuojnë të gjitha palët. Nuk kemi arritur të flasim për emra të përveçëm”, tha Abdixhiku.

Në takim me Kurtin, bashkë me Abdixhikun ishte edh eish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila është promovuar si kandidate e LDK-së për një mandat të dytë si president e vendit.

Para takimit me Abdixhikun, Kurti u takua me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza. Pas takimit, Hamza tha se PDK-ja ka vendosur të qëndrojë në opozitë, por do të japë kontributin e saj për formimin e institucioneve të qëndrueshme dhe funksionale.

Hamza përsëriti se PDK-ja insiston për zgjidhje me konensus të gjerë politik për çështjen e presidentit të ri të vendit.

(r.m.)

Comment

*