Kurti fton në takim Hamzën, Abdixhikun e Gjinin për të diskutuar për formimin e institucioneve

Prishtinë, 9 korrik 2026 – Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në cilësinë e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, i ka ftuar në takim kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku dhe kryetarin e Aleancës, Ardian Gjini, për të diskutuar për formimin e institucioneve pas zgjedhjeve të 7 qershorit.

Ftesa e Kurtit, partia e të cilit ka dalë e para në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 7 qershor, erdhi në ditën kur nisi rrjedhja e afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit, për formimin e qeverisë së re dhe për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit.

Kryesia e PDK-së, ndër të tjera, pritet të analizojë sot rezultatin e saj në zgjedhje dhe të shqyrtojë edhe ftesën e Kurtit për diskutim lidhur me formimin e institucioneve të reja. Në mbledhje pritet të vendoset qëndrimi i kësaj partie lidhur me procesin e formimit të qeverisë dhe me atë të zgjedhjes së presidentit të ardhshëm.

Deri tashti, zyrtarët e PDK-së janë deklaruar kundër çfarëdo koalicioni me LVV-në dhe për zgjedhjen e presidentit me marrëveshje të gjerë politike për një kandidat të opozitës ose për një kandidat jopartiak.

Edhe kryesia e LDK-së pritet të diskutojë për çështjen e formimit të qeverisë dhe për çështjen e presidentit në takim me kolegjiumin e degëve të partisë. Këtë e konfirmoi nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri, i cili ka dalë nga mbledhja para se ajo të përfundonte.

“LDK-ja po diskuton dy çështje thelbësore: analizën e rezultatit të fundit zgjedhor dhe kërkesat që lidhen me interesimin për bashkëpunim. Si vlerë politike kemi treguar pragmatizëm dhe po diskutojmë parimet e bashkëpunimit në kuadër të ndërtimit të institucioneve që kanë dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit”, deklaroi Haziri.

Drejtues e përfaqësues të LDK-së, në deklarimet e deritashme publike, nuk janë shprehur qartë për ose kundër hyrjes në koalicion me LVV-në dhe as për çështjen e presidentit. Në disa raste, ata kanë thënë se ish-Presidentja Vjosa Osmani është kandidate e kësaj partie për një mandat të dytë. Sidoqoftë, të gjithë janë shprehur kundër zgjedhjeve të reja eventuale, me arsyetim se as ato nuk pritet të bëjnë ndonjë ndryshim të madh në fuqinë e subjekteve politike.

Por, LDK-ja tani përballet edhe me një turbulencë të bredshme. Kryesitë e disa degëve të saj kanë inicuar nënshkrimin e një peticioni për mbajtjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm, për të diskutuar për pëgjegjësinë e udhëheqjes qendrore të partisë dhe të kryetarit të saj Lumir Abdixhiku për rezultatet e dobëta në zgjedhje. Sipas raportimeve të medies, në Kuvend pritet të kërkohet edhe shkarkimi i Abdixhikut, i cili e ka hedhur poshtë mundësinë e largimit të tij para Kuvenditt ë rrezullt zgjedhor të partisë që duhet të mbahet vitin e ardhshëm.

Ndërkaq, Aleanca ka shprehur gatishmërinë të marrë pjesë dhe të ndihmojë në procesin e formimit të institucioneve të reja. Por, ajo i ka shtruar disa kushte për përfshirjen eventuale në ndonjë koalicion me LVV-në. Shumica e kushteve kanë të bëjnë me çështje të ekonomikë, sidomos me diversifikimin e byurimeve të energjisë, përfshirë furnizximin me gaz LNG nga Shtetet e Bashkuara dhe me ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese në vend.

Në zgjedhjet e 7 qershorit, LVV-ja i fitoi 53 ulëse në Kuvendin e Kosovës, PDK-ja 22, LDK-ja 18 dhe Aleanca 7.

LVV, bashkë me subjektet e komuniteteve joserbe me të cilat ka bashkëqeverisur në mandatin e kaluar, e ka të sigurtë numrin e nevojshëm të votave për konstituimin e Kuvendit dhe për zgjedhja e qeverisë. Por, asaj i nevojiten votat e PDK-së ose të LDK-së për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Në qoftë se nuk e fiton mbështetjen e njërës prej këtyre dy partive, procedura për zgjedhjen e presidentit do të dështojë dhe vendi do të shkojë përsëri në zgjedhje të parakohshme,

Sipas Kushtetutës, Presidenti i ri i Kosovës duhet të zgjidhet brenda 60 ditësh prej konstituimit të Kuvendit.

(r.m.)

Comment

*