Shën Stefan (Mal i Zi), 21 tetor 2026 – Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se Kosova duhet ta marrë statusin e vendit kandidat dhe të hapë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).
“Kosova ka demokraci funksionale dhe sta bilitert institucional dhe ekonomik. Tani është koha që vendi ynë të marrë statusin e kandidatit dhe të hapë negociatat për hyrjen në BE. Mu për këtë, sot dhe çdo ditë, do t’u bëj thirrje të gjithë liderëve të BE-së që nga Komisioni Evropian të kërkojnë opinion për këtë çështje (hapjen e negociatave me BE-në”, ka thënë Kurti, para fillimit të Samitit të Procesit të Berlinitm, në Budvë në Mal të Zi.
Kurti ka bërë thirrje për zbatimin e zotimeve të Samitit të Londrës i 2018-s “lidhur me drejtësinë për krimet e kryera gjatë luftës dhe për gjetjen e personave të zhdukur”.
“Jemi optimistë për të ardhmen sepse ne bashkëpunojmë dhe ne e mbajmë veten të angazhuar. Të angazhuar duke u mbështetur në vlerat e BE-së, duke i mbyllur derën Kremlinit dhe duke u fokusuar në punësimin e të rinjve dhe sundimin e ligjit”, është shprehur ai.
Kurti ka thënë edhe të mërkurën se pret që Komisioni Evropian të njohë progresin e Kosovës dhe të rekomandojë hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.
“Përparimi ynë demokratik, përkushtimi ndaj vlerave të përbashkëta dhe linjëzimi me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së duhet të reflektohen në hapa konkretë. Është e rëndësishme dhe e nevojshme, mbështetja proaktive e Komisionit për statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim”, ka thënë Kurti gjatë takimit me Komisioneren për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Marta Kos.
Në samitin e Procesit të Berlinit në Budvë po marrin pjesë liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
(r.m.)