Kurti: Konstituimi i Kuvendit pa një marrëveshje për presidentin e çon vendin në zgjedhje të reja

Prishtinë, 6 gusht 2026 – Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, tha se ndërprerja e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës është bërë për t’i dhënë hapësirë vazhdimit të bisedimeve politike për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm.

Ai theksoi se konstituimi i Kuvendit pa një marrëveshje politike për zgjedhjen e presidentit të ri mund të çojë në zgjedhje të reja.

““Ashtu siç e theksuam edhe në fillim të seancës konstituive, duam t’i japim shans vazhdimit të bisedimeve dhe arritjes së një marrëveshjeje për presidentin e ri.  Çfarëdo veprimi për konstituimin e Kuvendit pa marrëveshje për presidentin do të nënkuptonte zgjedhje të reja”, tha Kurti, në një konferencë për media pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit.

Kurti tha se konstituimi i Kuvendit duhet të bëhet pasi të qartësohet çështja e presidentit të ri.

“Para se të vazhdojmë me konstituimin e Kuvendit, duhet ta qartësojmë këtë çështje. Vetëm atëherë kur ta kemi arritur marrëveshjen për presidentin do të vazhdojmë me konstituimin e Kuvendit. Pa një dakordim për presidentin është e kotë të vazhdojmë me veprimet për konstituimin e Kuvendit”, theksoi ai.

Sipas tij, bisedimet me Lidhjen Demokratike të Kosovës për një marrëveshje politike janë ndërprerë për shkak të zhvillimeve të brendshme në këtë parti.

“Fatkeqësisht, për shkak të dinamikave të zhvillimeve të brendshme në LDK, diskutimi u suspendua. Takimin e patëm pardje, por nuk kishte kohë të mjaftueshme për të arritur një dakordim. Në këtë situatë, është e nevojshme t’i jepet shans vazhdimit të diskutimeve para se të lëvizim për konstituimin e Kuvendit, që mund ta vështirësonte marrëveshjen potenciale dhe evitimin e zgjedhjeve të radhës”, tha ai.

Kurti tha se LVV-ja është e interesuar për vazhdimin e dialogut me LDK-në për një marrëveshje politike, por u bëri thirrje edhe Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës që të përfshihen në bisedime. Ai ka thënë se zgjedhja e presidentit është përgjegjësi e të gjitha partive politike.

“Jam i interesuar të vazhdoj diskutimin për marrëveshje me LDK-në, por edhe një herë u bëj thirrje Ardian Gjinit të Aleancës dhe Bedri Hamzës të PDK-së që të takohemi e të bisedojmë. Nëse kryetari i Kuvendit i takon partisë fituese dhe formimi i qeverisë është përgjegjësi e jona, zgjedhja e presidentit është përgjegjësi edhe e Aleancës dhe PDK-së. Na duhet bashkëbisedim”, tha ai.

Kurti theksoi se evitimi i zgjedhjeve të reja është përgjegjësi e të gjithëve dhe u bëri thirrje të gjitha subjekteve politike ta trajtojnë çështjen me serizotet dhe përgjegjësi.

“Serioziteti dhe përgjegjësia institucionale kanë vetëm një qëllim – evitimin e zgjedhjeve të tjera”, përfundoi Kurti.

(r.m.)

Comment

*