Kurti: Kosova nuk duhet të mbetet peng i Serbisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE

Ju Jork, 24 shtator 2026 – Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova nuk duhet të mbetet peng i Serbisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Kurti ka bërë të ditur se të mërkurën, në një takim me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, dhe përfaqësues të shteteve të Ballkanit Perëndimor, në Nju Jork, e ka akuzuar Serbinë për glorifikimin e kriminelëve të luftës, për mbrojtjen e autorëve të krimeve dhe për spastrim administrativ ndaj shqiptarëve në Luginë të Preshevës..

“Republika e Kosovës nuk duhet dhe nuk mund të mbetet peng i fqinjit të saj verior, shtetit që mbron e shpërblen kriminelët e këtij shekulli dhe glorifikon të tjerët që kryen krime kundër njerëzimit, krime lufte e gjenocid në fund të shekullit të kaluar, në luftërat e ish-Jugosllavisë. Sikurse, mohon e fsheh krimet dhe refuzon të bashkëpunojë në zbardhjen e të vërtetës për të zhdukurit me dhunë, duke pamundësuar drejtësinë. Ndërsa vijon me shkelje të të drejtave dhe spastrim etnik administrativ ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Kurti ka thënë se Bashkimi Evropian, pa të drejtë, e mban “në sirtar” aplikacionin e Kosovës për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në union, duke e cilësuar këtë si padrejtësi ndaj Kosovës.

“Mbajtja në sirtar e aplikimit të dorëzuar në dhjetor të vitit 2022 në Pragë, përderisa jemi tërësisht të linjëzuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së dhe kemi shënuar përparim të rëndësishëm në pothuaj tërë fushat, përveçse padrejtësi ndaj Republikës së Kosovës do të ishte inkurajim i akterëve destabilizues rajonal dhe më gjerë”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se dhënia e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në uinion do të ishte përgjigje ndaj “besnikërisë së Kosovës ndaj vlerave demokratike” dhe orientimit të saj strategjik euroatlantik.

“Statusi i shtetit kandidat për anëtarësim pa vonesa të mëtejme, përveçse i merituar, do të duhej të ishte përgjigjja e Bashkimit Evropian për besnikërinë e Kosovës ndaj vlerave demokratike dhe përcaktimit të qartë strategjik euroatlantik, por edhe veprim inkurajues për hov të shtuar në përkushtimin tonë për reforma e zhvillim”, ka shkruar Kurti.

Në takim me Kallasin kanë marrë pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq dhe ministri i Punëve të Jashtme i Bosnjës e Hecegovinës, Dino Konakoviq.

(r.m.)

Comment

*