Kuvendi i Shqipërisë miratoi një hua nga SHBA për modernizimin e ushtrisë

Tiranë, 27 korrik 2026 – Kuvendi i Shqipërisë e ka miratuar të hënën në mbrëmje një marrëveshje huaje prej 302 milionë dollarësh me Shtetet e Bashkuara për modernizimin e Forcave të Armatosura të vendit.

Shqipëria do të ketë 48 muaj për t’i aktivizuar fondet dhe 12 vjet për shlyerjen e huasë, ndërsa përdorimi i tyre do të monitorohet nga Agjencia Amerikane për Bashkëpunimin në Fushën e Sigurisë dhe Mbrojtjes (DSCA).

Marrëveshja kaloi me 74 vota për në një votim me dyer të mbyllura në Kuvendin me 140 vende, që u braktis nga opozita.

Kreu i Kuvendit, Niko Peleshi, tha se mediat nuk mund të lejoheshin t’i ndiqnin diskutimet, pas kërkesës së deputetëve të shumicës që argumentuan se dokumenti përmbante informacion të klasifikuar.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste në pushtet, Taulant Balla, tha se huaja prej 302 milionë dollarësh është një hap i rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Shqipërisë dhe përforcon partneritetin strategjik me SHBA.

“Kjo është marrëveshje historike për Shqipërinë. Është dëshmi konkrete e besimit të SHBA-së ndaj Shqipërisë. Ky financim do të përdoret ekskluzivisht për modernizimin e Forcave të Armatosura, pajisje dhe shërbime të mbrojtjes sipas standardeve të NATO-s”, tha Balla.

Sipas Ballës, fondet do të shpërndahen gradualisht sipas nevojave të Ministrisë së Mbrojtjes.

Marrëveshja u hodh në votim dhe u miratua pas një debati të nxehtë disa orësh mes pozitës dhe opozitës. Opozita tha se e mbështeste marrëveshjen, por e kundërshtoi mënyrën se si ajo po shqyrtohej.

Partia Demokratike (PD) e akuzoi shumicën socialiste për “shkelje të procedurave kushtetuese”, pasi marrëveshja u fut për miratim me procedurë të përshpejtuar dhe pa u vënë më herët në dispozicion të deputetëve teksti i plotë i dokumentit.

Më 11 qershor, ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, zhvilloi një vizitë zyrtare në Uashington, ku u takua me drejtoreshën në detyrë të DSCA-së, Mary Beth Morgan.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, bisedimet u përqendruan në avancimin e projekteve të përbashkëta, forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe rritjen e kontributit të Shqipërisë në NATO.

DSCA është agjenci e Departamentit amerikan të Mbrojtjes që administron programet e bashkëpunimit ushtarak me vendet partnere, përfshirë financimin, shitjen e pajisjeve ushtarake dhe projektet për modernizimin e forcave të armatosura.

Në fund të qershorit, Shqipëria rriti buxhetin e mbrojtjes me 10.3 miliardë lekë – afërsisht 105 milionë euro.

Sipas Qeverisë, me këtë shtesë, shpenzimet për mbrojtjen arrijnë në 2.6 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).

Rritja e buxhetit vjen në një kohë kur Shtetet e Bashkuara po u kërkojnë aleatëve të NATO-s t’i shtojnë investimet në mbrojtje, ndërsa Aleanca ka vendosur si objektiv që vendet anëtare të synojnë shpenzime deri në 5 për qind të PBB-së deri në vitin 2035.

(r.m.)

Comment

*