LAMTUMIRË, MIKU IM I NDJERI IZET DURAKU – IKONË E LETRAVE KUKSIANE E SHQIPTARE!

Izet Duraku

Nga Hys Hasa

Nëpermjet rrjeteve sociale mësuam lajmin e trishtë për ndarjen nga jeta e të ndjerit Izet Duraku. Një vdekje e papritur dhe e trishtueshme e gojëmjaltit, poetit e shkrimtarit, familjarit shembullor, krenari dhe “elitë” e inteligjencës kuksiane e shqiptare, e Morinit, Tërthores , Lumës e Kukësit mbarë . Edhe mali i Gjallicës, Koritnikut e mali i Domit, dukeshin sot, që mbanin zi e derdhnin lot malli, për humbjen e birit të këtyre anëve. Po po i dashur lexues, sepse Izeti i ndjerë, e filloi karjerën e punës në shkollën 8 vjeçare në fshtin Domaj të Bashkisë Hasit.  

“Ngushëllime të sinqerta bashkëshortes Dr. Kujtimes, djalit e vajzës, vëllazërisë Duraku të Morinit, miqve (si Namik Dokle), kolegëve(Rexhep Shahut, Flamur Hoxhës), komunitetit të gazetarëve dhe të gjithë njerëzve të kulturës, që e njohën dhe e çmuan Izet Durakun. U prehsh në paqe, mjeshtër i fjalës shqipe”!  

Kukësi dhe trevat shqiptare do të të kujtojnë me respektin që meriton një njeri i letrave, i kulturës dhe i dinjitetit njerëzor.

I paharruar qoftë kujtimi i Izet Durakut!

Le të shohim kush ka qenë veprimtaria jetësore për vleratë intelektuale, organizuese e drejtuese dhe si Gazetar, Poet, shkrimtar e botues të z. IZET DURAKU.

U lind në fshatin Morin, ne vitin 1956 zona e Tërthores, Kukës. Rrjedh nga një trung familjar i dalluar për besë e burrëri, atdhetari e shqiptari, për çlirim kombëtar dhe për ndërtimin e zhvillimin ekonomiko-arsimor e kulturor të rrethit të Kukësit.

Izeti i vogël, qysh në moshën e fëmijërisë reflektonte mes moshatarëve shkathtësi, zgjuarësi dhe zhvillim trupor të bukur fizikisht. Ai shkollën fillore, e atë 8 vjeçare, i kreu në fshatin e lindjes Morin, kurse arsimin e mesëm pedagogjik, e kreu me rezultate shumë të mira në Kukës. Nga organet vendore të Kukësit i jepet e drejta e studimit, për në shkollën e lartë, duke kryer fakultetin e Gjuhë- Letërsi– Gazetari.

Izeti edhe në fakultet, u dallua për rezultate të mira në mësime. Gjatë kohës si student, ai kishte filluar krijimtarinë me artikuj të ndryshëm, botuar tek gazeta “Studenti”, “Zëri i Rinisë” etj.

Pas diplomimit, fillimisht, ai punoi 2 vite mësues i shkollës 8 vjeçare të fshatit Domaj Has, ballë për ballë fshatit Morin. Si gazetar krijues, Izet Duraku, shkroi dhe botoi disa artikuj në shtypin shqiptar, duke e prezantuar vehten si intelektual progresist.

Nga mësues, intelektuali IZET DURAKU, emërohet gazetar–korespodent i Gazetës“Bashkimi”për Kukësin, Hasin dhe rrethin e Tropojës. Gati çdo ditë, gazeta kishte artikuj të shkruar nga gazetari Izet Duraku, mbi zhvillimin e veprimtarive, arritje, mangësi në zhvillimet politike, ekonomike, kulturore në këto rrethe veriore. Puna e bërë nga gazetari Izet Duraku, filloi të bëjë jehonë në rrethet intelektuale kuksiane dhe tek organet e drejtuese të rrethit në atë periudhë.

Intelektuali Izet Duraku, është nga të parët intelektual kuksian, që fillojë të fliste hapur për punën burokratike të organeve partiake të partisë së punës nga baza në qendër, duke bërë edhe kritika, që binin ndesh me llustrën e propagandës, që i bëhej Partisë së Punës, udhëheqjes dhe vetë sistemit socialist.   

Sigurisht, me kurajo e mençuri, ai ngrinte probleme të mprehta, në forumet që organizonte partia– shtet, si në pleniume, aktive, etj.    

Intelektuali, Izet Duraku, pikpamjet e veta demokratike, filloi nga të parët intelektual kuksian, të flas hapur për demokracinë dhe për dështimet e rendit socialist, si rend ekonomiko-shoqëror i falimentuar.

Ai është nga demokratët e parë intelektual kuksian, që fliste për ndryshim sistemi, (pa ekstremizma e me dy gishtat lart). Ka shkruar e botuar artikuj të ndryshëm, në shtypin e kohës, duke bërë analiza objektive faktorëve, shkaqeve që e çuan në dështim të rendit socialist diktatorial. Ka qene kryeredaktor i botimit te revistes Atdhetare Kulturore “Dy Drinat” për një periudhë 10 vjeçare.

Pas vitit 1992–1999, intelektuali Izet Duraku, ka kryer detyrën e drejtorit të Radio – Kukësit, duke u bërë zëri i parë denoncues, trasmetues tek dëgjuesit, mbi reformat që mori qeveria demokratike, pas ndërrimit të sistemit, me ardhjen në pushtet.

Një punë të madhe, intelektuali Izet Duraku, bëri tek shtresat e gjëra popullore, për të mos dalë jashtë kontrollit, protestat që bëri populli kundër shtetit, duke çuar në shkatërrimin e tij, si ato në mars 1997. Pas vitit 1997, intelektuali Izet Duraku, emërohet me punë në emisionin e Radio-Tiranës, për shqiptarët jashtë atdheut.

Një kontribut të veçantë, ka dhënë në sensibilizimin e popullit shqiptar e atij ndërkombëtar, duke dënuar e denoncuar genocidin Millosheviçian në Kosovë e përkrahjes popullore të shqiptarve, kudo në Shqipëri, e aty ku jetojnë shqiptar, nëpër botë, intervenimin e trupave të NATO-s në Kosovë, për shpëtimin e popullit shqiptar, të dëbuar me forcë nga fashizmi serbë, nga trojet e tyre shekullore, veçanërisht pritjen, që u ka bërë populli kuksian dhe gjithë qytetet e fshatrat e Shqipërisë, nga veriu në jug.

Tashmë, intelektuali Izet Duraku, në gjithë shkrimet e tij, ai ka pasqyruar me vërtetësi ngjarjet e asaj periudhë, në librat që ai ka botuar para dhe pas ngjarjeve, të përjetuara para e pas çlirimit të Kosovës. Të shumta janë shkrimet, intervistat, opinionet e personaliteteve shqiptare e ato botërore për këto situata.

Poeti e shkrimtari Izet Duraku, ka shkruar e ka botuar disa libra me poezi, publiçstikë dhe romane(Libratë si ma poshtë:

– “Drini i Bardhë, poezi”, 1985. -“ Pragu, publicistike”, 2002”. – “Vezullim hedhtash, poezi”, 2004. -“Agim Spahiu, metafora e lirise se munguar, me bashkautor”, 2008. -“ Libri i Udhetarit, Roman”, 2013. -“Shfarosja e shqiptarëve, elaborat i Çubrilloviqit, 2014”, përgatitur për botim.  -“Dimitrije Tucoviq, Serbia dhe Shqipëria, ” përgatiti për botim. -“Ana tjetër e malit, publicistike”, 2016. -“Dëborë në fund të shekullit, publicistike, ” 2019. -“Sëpata që shfaros pyllin, publicistike, “2021. -“Këngët e shtegtimit dhe familja e ndarë, studim”, 2021. -“Ka në proçes botimi : -“Vera me Nijaz Hoxhën”. -“Rruga e vdekjes, një betejë e vjedhur dhe e harruar”.

Ai është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve kuksianë e të Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve Shqiptar. Theksojmë, se që nga viti 2002-2013 , ai ka kryer detyrën e Drejtorit të Kulturës e të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës, Rinisë e Sporteve. Poeti e shkrimtari Izet Duraku, është adhurues i intelektualëve kuksianë, sidomos i krijuesve, poetëve e shkrimtarëve nga treva e Lumës.

Atë në çdo promovim libri, apo ngjarje përkujtimore, që ka të bëjë me Kukësin, do jetë prezent dhe me mendimet e tija vlerësuese, u rrit vleratë e tyre, para opinionit shoqërues . Ai shpesh herë është edhe drejtues i këtyre aktiviteteve, ai ka qene drejtues dhe moderator i disa promovime qe u kam bere librave te mi ne sallen e muzeut kombetar ne Tirane. Ai është pjesëmarrës dhe referues në disa konferenca e aktivitete të ndryshme, brenda e jashtë vendit, duke referuar me tema e zbërthime, të karakterit historiko-kulturor e shkencor.

Publiçisti, studiuesi e poeti Izet Duraku, tashmë është një intelektual qe ka qene konkurent lokal, kombëtar e ndërkombëtar. Ai ka kryer disa trajnime, brenda e jashtë vendit. E veçanta e tij, si intelektual, është se ai është dashamirës i kuksianëve, thjeshtësia e tij qëndron në atë se si ai, bën luftë kundër formalizmit e fodullit, konformistit. Në botën e tij të brendshme, është idili i gëzimit për çdo vepër letrare nga autor të ndryshëm, e sidomos ata kuksian, që paraqesin vleratë pozitive të kuksianve e të shqiptarëve.

Intelektuali Izet Duraku sot punon tek “Klubi i Poezisë në Kryeqytet”, duke qenë drejtues e redaktor i librave që boton ky klub, i cili sot ka bërë një emër të mirë, tek potenca intelektuale krijuese kombëtare shqiptare, duke konkurue dhe organizmat shtetërore të kohës, ku bashkë me bashkrahinarin e tij z. Rexhep Shahun janë bërë të njohur dhe një zë shumë pozitivë në letërsinë e krijimtarinë e sotme shqiptare me konkurencë, jo vetëm kombëtare, por edhe ndërkombëtare.

  Studiuesi, publicisti, poeti e shkrimtari Izet Duraku, është në të shkruar“matematikë e gjallë”, në fushën e krijimeve letrare. Ajo, që shëndrit tek karakteri burrëror i Izetit, është se ai intelektual shikon përpara, shikon larg, shikon nga progresi, nuk lëron as djathtas e majtas me ekstremizma, por qëndron nga pozitivja e drejtësia.

  Shekulli i 21-të dhe integrimit shqiptar, në mes popujve europianë, kërkon kuadro intelektual studiues, publicist e poet, e shkrimtar si i respektuari, Izet Duraku. Ai nuk është vetëm një punonjës shteti i mirë në detyrat që ai ka kryer, por edhe një vëlla, mik e shok i dashur e korrekt dhe mbi të gjitha, ai është bashkëshortë, prind e gjysh shëmbullor.

   Si intelektual i kompletuar, ai njihet, miqësohet, simpatizohet, dashurohet, fejohet e martohet me mjeken e re kuksiane Dr. Kujtime Durakun. Ata gjatë jetës tyre bashkëshortore, i ka karakterizuar dashuria e sinqertë, uniteti, harmonia, respekti i ndërsjelltë midis tyre, duke qenë të admiruar e respektuar nga komuniteti kuksian e aty ku ata kan punuar e punojnë dhe mes komunitetit kryeqytetas, ku ata sot banojnë familjarisht.

  Bashkëshortja e poetit Izet Duraku, mjekia Dr. Kujtime Duraku, është një intelektuale e suksesshme, në fushën e mjekësisë shqiptare. Ajo pas kryerjes me rezultate të mira të fakultetit të Mjekësisë së Përgjithshme, ka punuar disa vite si mjeke, pranë spitalit “Meriman Jakupi” Kukës. Është specializuar si mjeke infeksioniste. Ka mbi 20 vite, që punon si mjeke në spitalin ushtarak, në Tiranë, në repartin e infektivit (sëmundjeve ngjitëse), me gradën ushtarake n/kolonele. Mjekia veterane Dr. Kujtime Duraku, është një mjeke specialiste e nivelit shkencor. Ka marrë pjesë në disa konferenca e simpoziume shkencore të mjekësisë, organizuar brenda e jashtë vendit. N/kolonele Dr. Kujtimja, nuk është thjeshtë një mjeke specialiste, ajo ka likuiduar provimet universitare, ka mbrojtur gjuhën angleze e italiane, si dhe ka mbrojtur disertacionin me temë nga fusha e mjekësisë të sëmundjeve infektive dhe me vendim, të komisionit të testimit qeveritar, i jepet titulli shkencor“Doktore e Shkencave Mjekësore” dhe punon për gradën e profesorit të shkencës mjeksore (Prof. Dr). Sot vazhdon punën si mjeke, me titull shkencor pranë Spitalit Ushtarak, duke qenë, një intelektuale kompetente e shumë njerëzore si mjeke, me shpirt human, e nderuar dhe e respektuar, si nga trupa mjekësore në institucion, e sidomos nga masat e popullit që shërohen nga kujdesi e shërbimi mjekësor shkencor në shërbim të tij.

  Çifti bashkshortorë intelektualë kuksian Dr. Kujtime e Izet Duraku, kanë lindur, rritur, edukuar, arsimuar, fejuan, martuan dhe po i gëzojnë dy fëmijët e tyre të mrekullueshëm, të cilët pasi kryen shkollat e larta me rezultate të mira, ata sot janë intelektualë bashkohorë dhe shumë të respektuar mes kolektivave ku ata punojnë dhe komuniteteve ku ata banojnë.

Puna dhe aktiviteti patriotik, i çiftit bashkëshortor, të intelektualëve kuksianë, Dr. Kujtime e Izet Duraku, në fushat që ata kontribojnë, nga organet shtetërore janë vlerësuar dhe shpërblyer me stimuj moral e material të kohës. Ata mbajnë medalje e urdhra, të akorduar nga Presidenti i Shqipërisë.

  Ikja e tij nga kjo jetë është një humbje e madhe për kulturën, letërsinë, gazetarinë dhe kujtesën tonë kombëtare. I ndjeri Izet Duraku nuk ishte thjesht një emër në botën e fjalës së shkruar; ai ishte një njeri që e jetoi dhe e nderoi fjalën, duke lënë gjurmë në mendjet dhe zemrat e atyre që e njohën, e lexuan dhe e vlerësuan. Ai ishte një ikonë e papërfolur, një intelektual me dinjitet, një zë i kulturës dhe një pasuri shpirtërore e Kukësit dhe e shqiptarise.

  Njerëz të tillë nuk maten vetëm me veprat që lënë pas, por edhe me gjurmën njerëzore, me fisnikërinë dhe me respektin që fitojnë gjatë jetës. Morini, Tërthorja kuksiane , Luma e Kukësi humbi një bir të letrave të veta. Trevat shqiptare humbën një njeri të kulturës, ndërsa fjala shqipe humbi një nga shërbyesit e saj të përkushtuar.

Por vdekja nuk mund ta shuajë atë që është shkruar me shpirt.  Fjalët mbeten, veprat flasin dhe kujtimi i njerëzve të mirë bëhet pjesë e përjetësisë. Edhe një herë ““Ngushëllime të sinqerta bashkëshortes Dr. Kujtimes, djalit e vajzës, vëllazërisë Duraku të Morinit, miqve (si Namik Dokle), kolegëve(Rexhep Shahut, Flamur Hoxhës), komunitetit të gazetarëve dhe të gjithë njerëzve të kulturës që e njohën dhe e çmuan Izet Durakun. Zoti ju dhashtë kurajo që ta përballoni ketë dhimbje të madhe që ju ka shkaktuar humbja e njeriut tuaj e tonin Izet Duraku. U prehsh në paqe, mjeshtër i fjalës shqipe”!

  Ah i mallkuar emigracion i largët që nuk të jepet mundësia t’ju hedhësh një grusht me dhe mbi varrin e shokëve e miqëve të veçantë si i ndjeri IZET DURAKU!

 Të rrojmë e ta kujtojmë mikun e shokun tonë të ngushtë. I paharruar kujtimi i tij në xhenetin e përjetësisë!

Comment

*