Le ta dërgojmë mikun tonë Mike Rogers në Senatin Amerikan!

Kam nderin të mbështes Mike Rogers në fushatën e tij për Senatin e Shteteve të Bashkuara, për të përfaqësuar shtetin e madh të Miçiganit. Ai është një mik i komunitetit tonë dhe kombit shqiptar.

Gjatë karrierës së tij të shquar në shërbim të vendit, Mike Rogers ka dëshmuar një përkushtim të patundur ndaj lirisë, sigurisë dhe aleancave të forta. Si ish-oficer i Ushtrisë së SHBA-së, ish-agjent special i FBI-së dhe kryetar i Komitetit të Inteligjencës të Dhomës së Përfaqësuesve, ai sjell dekada përvojë të dëshmuat në sigurinë kombëtare, në një kohë kur Amerika dhe bota kanë nevojë për udhëheqje të qëndrueshme dhe me përvojë.

Gjatë kohës së tij në Kongres, Mike ndërtoi lidhje të thella dhe të qëndrueshme me shqiptaro-amerikanët, duke fituar shumë miq personalë në komunitetin tonë. Ai është një mbështetës i fortë i rolit të fuqishëm udhëheqës amerikan në Ballkan dhe në mbarë botën, dhe është thellësisht i përkushtuar ndaj forcimit të mëtejshëm të miqësisë historike mes Shteteve të Bashkuara dhe popullit shqiptar. Përkushtimi i tij i gjatë ndaj stabilitetit të politikës së jashtme dhe partneriteteve të forta të sigurisë e bën atë një mbrojtës të çmuar të vlerave tona të përbashkëta në Senat.

Përveç kredencialeve në fushën e sigurisë kombëtare, Mike Rogers ka një histori rezultatesh konkrete për familjet punëtore, nga shërbimi i tij si në Senatin e Shtetit të Miçiganit, ashtu edhe në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së. Nga krijimi i programeve të kursimit për arsimin pa taksa për familjet, te mbështetja e sektorit prodhues të Miçiganit, lufta për uljen e inflacionit, uljen e kostove të energjisë dhe forcimin e ekonomive lokale, Mike Rogers vazhdon të mbajë në vëmendje rikthimin e mundësive ekonomike dhe mbrojtjen e ëndrrës amerikane.

Komuniteti ynë shqiptaro-amerikan ka lidhje të forta me të dyja partitë politike, ashtu si vetë Miçigani, një shtet fushëbeteje dhe plot gjallëri, me një histori të pasur mbështetjeje si për republikanët, ashtu edhe për demokratët. Pas 32 vitesh me dy demokratë në Senatin e SHBA-së, është koha që Miçigani të zgjedhë një zë republikan në Uashington. Senatori në largim i SHBA-së nga Miçigani, Gary Peters, një demokrat, ka qenë mik i madh i komunitetit tonë. Le ta zëvendësojmë tani me një tjetër mik të madh tonin: republikanin Mike Rogers.

U bëj thirrje të gjithë shqiptaro-amerikanëve që jetojnë në Miçigan të votojnë Mike Rogers për Senatin e SHBA-së!

Vehbi Bajrami

Botues, gazeta Illyria

Comment

*