LEXUESI SAMI REPISHTI

Nga Ruben Avxhiu

 

Më mungojnë disa lexues të gazetës “Illyria”. Që kur kanë ikur nga kjo botë duket sikur e kanë bërë punën më pak frymëzuese e interesante. Zakonisht gazetarët më të zotë janë ata që dinë të tërheqin drejt vetes lexuesit e rinj, duke siguruar jetëgjatësinë dhe trashëgiminë e tyre. Unë mbeta me sytë nga brezi më i vjetër.
Disa si Peter Prifti, Skënder Ghilaga, At Arthur Liolini, por edhe shumë të tjerë që ndonëse nuk kishin emër publik, ishin lexues që kishin parë e përjetuar epoka kur nuk kishin lindur as prindërit e mi.
Herë pas here më dalin komentet e tyre, në email, në dosje letrash të shkruara me dorë, apo si postime në Facebook. Më bëjnë të mendoj për ndryshimin e mënyrës se si lëmë gjurmë në këtë jetë.
Një ditë para disa vitesh botova një shkrim në faqen e internetit në “Illyria” nga të shkruar nga Luan Çipi për nje libër të ri të Memisha Gjonzenelit, “PIRAMIDA E GJYSHIT”.
Pa kaluar dy orë, shoh se kishte shkruar një koment dashamirës për Memishën, Prof. Sami Repishti.
“Urime Z.Memisha Gjonzeneli per botimet e tia qe pasurojne kulturen e lelersine tone shqiptare.
Emni i tij me kujton baban e Z. Memisha, Muhamet Gjonzeneli dhe xhaxhan e ti Prof. Bego .Gjonzeneli, te dy te burgosun dhe kolege te mi per shume vite ne burgjet e tmerrshme komuniste. Prof. Gjonzeneli u ekzekutue ne vitin 1949 i akuzuem per veprimtari armiqsore gjate qendrimit te tij ne burg. Pushofshin ne paqe!”
Bëra një postim për këtë në Facebook, se më bëri përshtypje që profesor Repishtit, në atë kohë 95-vjeçar, nuk i shpëtonte asgjë. Vazhdimisht ishte i pranishëm me ndonjë mendim e koment sa herë që shihte se botonim ndonjë gjë që e tërhiqte.
Prania e tij me komente ishte pikërisht një nga ato gjëra që e bëjnë punën e atij që shkruan më pak vetmitare.
Shkruajta në Facebook, në atë kohë, që komenti më kujtoi që t’i uroja edhe njëherë jetë të gjatë Prof. Sami Repishtit, “që ka qenë i pranishëm në të gjitha momentet historike të punës së shqiptaro-amerikanëve në këto 60-70 vitet e fundit, e që gjithmone ka kontribuar me mendimet e tij të qeta e të balancuara”.
Pikërisht nga që ne shqiptarët jemi shpesh të rrëmbyer e kokëfortë në cepat tanë ideologjike e preferencat e manitë tona, Prof Repishti ka qenë në vite një udhëheqës natyral, një lloj mekanizmi ekuilibrues. Por nuk ka gjë që urrehet më shumë se ekuilibri nga turmat e “armatosura” me bindje të pandryshueshme. Repishti e ka paguar këtë ekuilibër me akuzat nga më absurdet. Nëse do t’i ngrinim një ditë një monument që ta nderonim, se mesiguri duhet ta quanim: Monumenti i Durimit.
Në fund, nuk ishte trajtimi personal që e shqetësonte pafund, por paaftësia shqiptare për t’u përballur me të kaluarën. Edhe në mbyllje të dekadës së dhjetë të jetës së tij, nuk rreshti së këshilluari shqiptarët që të ktheheshin e ta shihnin historinë e tyre në sy. Një këshillë që vazhdojnë ta injorojnë edhe sot e kësaj dite në teatrin me maska të epokës së re, ku kanë gjetur mënyra të reja për t’ia nxirë jetën njëri-tjetrit.
http://www.illyria.com/nje-libei-ri-i-memisha-gjonzenelit/