LVV dhe LDK diskutojnë brenda partive për marrëveshjen për presidentin

Prishtinë, 1 shtator 2026 – Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) pritet të diskutojnë sot (e martë) me struktuarat e tyre partiake për kandidaturën e Bekim Sejdiut për President të Kosovës.

Grupi Parlamentar i LVV-së pritet të diskutojë për kandidaturën e Sejdiu në mbledhjen që do të mbahet sot në mbëmje. Ndërsa LDK do të diskutojë në mbledhjen e kryesisë së partisë që do të mbahet sot në orën 14:00 dhe në mbledhjen e grupit parlamentar, e cila do të mbahet në orën 16:00.

Zgjedhja e Presidentit të Kosovës bëhet përmes votimit të fshehtë. Në dy votimet e para një kandidat duhet t’i marrtë votat e 80 deputetëve, kurse në votimin e tretë duhet t’u fitojë 61 vota.

Por, për votim të suksesshëm nevojitet prania në sallë e të paktën 80 deputetëve. LVV e LDK mund ta krijojnë kuorumin e nevojshëm për votim të suksesshëm, bashke me subjektet e komuniteteve joshumicë.

Por, bazuar në reagimet publike pas propozimit të Sejdiut, mbetet me pikëpyetje prania në sallë e të gjithë deputetëve të LDK-së. Deputeti i kësaj partie, Avdullah Hoti, ka dalë publikisht kundër kandidaturës së Sejdiut.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca tash për tash kanë qëndrim asnjanës. Eksponentë të tyre kanë thënë se ato nuk kanë të bëjnë fare me këtë çështje dhe nuk kanë treguar as nëse do të marrin pjesë në votim dhe as si do të votojnë.

Sidoqoftë, të gjitha partitë parlamentare deri më sot janë shprehur për shmangien e zgjedhjeve të tjera të parakohshme.

Bekim Sejdiu u propozua kandidat konsensual i LVV-së dhe LDK-së për President të Republikës. Propozimi doli nga takimi i djeshëm i krerëve të dy partive, pas negociatave disa javore të tyre për arritjen e konsensusit për një kandidat jopartiak me kredenciale të përshtatshme për pozitën e kreut të shtetit.

Prof. Dr Bekim Sejdiu, specialist për fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, demokracisë dhe të drejtave të njeriut, vlerësohet për karrirën e tij akademike, për përvojën e tij në diplomaci dhe në sistemin kushtetues.

Në qarqet akademike dhe në qarqet profesionale konsiderohet si kandidaturë që I bën nder Kosovës.

(r.m.)

Comment

*