LVV thotë se do t’i votojë Vlora Çitakun e Kujtim Shalën, për t’i shmangur zgjedhjet

Prishtinë, 12 shtator 2026 – Lëvizja Vetëvendosje (LVV) njoftoi të shtunën në mbrëmje se deputetët e saj do të mbështesin kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për nënkryetarë të Kuvendit.

Në komunikatën e LVV-së thuhet se në mbledhjen e kryesisë së partisë është vendosur që të votohen kandidatët e PDK-së dhe LDK-së, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala, të cilët nuk u votuan të premten, me motivacion se ata janë në mesin e deputetëve që janë kundër formimit të institucioneve të reja.

Sipas komunikatës, kryesia e LVV-së e ka marrë këtë vendim me qëllim që të shmangen zgjedhjet e parakohshme dhe të krijohet stabilitet institucional në Kosovë.

“Kryesia e Lëvizjes VETËVENDOSJE! ka mbajtur sonte mbledhje të jashtëzakonshme. U konstatua që ndodhemi në momentet vendimtare për t’i dhënë vendit stabilitet institucional pas zgjedhjeve të 7 qershorit dhe për të parandaluar edhe një palë zgjedhje të reja, të panevojshme për shtetin e qytetarët dhe të kushtueshme për buxhetin e të ardhmen. Zgjedhjet e parakohshme të përsëritura do të ishin të katërtat në më pak se dy vjet! Vazhdimi i seancës konstituive është caktuar për nesër në orën 10:00. Ne kemi qenë dhe jemi të gatshëm që të votojmë për nënkryetar kuvendi nga radhët e PDK-së dhe LDK-së dikë që nuk e bojkoton zgjedhjen e presidentit e asisoj na dërgon në përsëritje të zgjedhjeve.  Megjithëkëtë, kryesia e LVV mori vendim që nesër të votojmë kandidatët e PDK-së dhe LDK-së, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala. Presim që pas konstituimit të kuvendit ky hap i vullnetit të mirë të reflektojë në konstruktivitet të tyre duke votuar për president, qoftë ajo edhe votë kundër”, thuhet në njoftimin e LVV-së.

Të premten, seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës u ndërpre për shkak të mosmarrëveshjeve për votimin e Vlora Çitakut dhe Kujtim Shalës për nënkryetarë të Kuvendit. VV-ja abstenoi te votimi për Çitakun, prandaj deputetët e PDK-së lëshuan sallën në shenjë proteste dhe nuk u kthyen më në seancë. Edhe deputetët e LDK-së e lëshuan sallën pasi refuzuan të votohet për kandidatin e tyre për nënkryetar para se të votohet për kandidaten e PDK-së.

Të premten u problematizua edhe mënyra e propozimit të kandidatit të Listës Serbe për nënkryetar të Kuvendit. Kryetarja Alulena Haxhiu kërkoi që përfaqësuesi i kësaj partie të tërheqë nga teksti i propozimit forulimin “në emër të popullit serb”, të cilin ajo e cilësoi si jokushtetues. Të mërkurën, deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, nuk e kishte tërhequr këtë formulim, me arsyetim se ai ka të drejtë, ndërsa të premten seanca u ndërpre para se të votohej për nënkryetarin e Kuvendit nga komuniteti serb.

(r.m.)

Comment

*