Bruksel, 4 shtator 2026 – Komisarja e BE-së për zgjerimin, Marta Kos, e ka anuluar vizitën në Serbi, për shkak se në Serbi po glorifikohet figura e kriminelit të luftës, Ratko Mlladiq, i cili ishte dënuar nga Tribunali Ndërkombëtar për Krime të Luftës në Hagë me burgim të përjetshëm.
Komesarja Kos ka thënë se nderimet që iu bënë Mlladiqit në Beograd ia kujtojnë Evropës faqet më të errëta të historisë.
“Ratko Mlladiq është dënuar për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Kthimi i mbetjeve mortore të tij në Beograd ia kujton Evropës faqet më të errëta të historisë sonë të afërt”, ka shkruar ajo në platformën X.
“Glorifikimi që e shoqëron vdekjen e tij është në kundërshtim me vlerat mbi të cilat është ndërtuar rruga drejt BE-së. Kjo rrugë kërkon ballafaqim me të kaluarën, pajtim të vërtetë dhe respektim të viktimave të krimeve të luftës”, ka shtuar ajo.
“Kjo rrugë kërkon ballafaqim me të kaluarën, pajtim të vërtetën dhe respektim të viktimave të krimeve të luftës. Vlerat që përbëjnë themelin e së ardhmes sonë të përbashkët nuk janë të negociueshme. Për këtë arsye, kam vendosur të mos e realizoj vizitën e planifikuar në Serbi në këtë moment”, ka shkruar Marta Kos.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të komesares Kos që ta anulojë vizitën në Beograd. Ai e ka cilësuar si “marroq” shpjegimin e zonjës Kos për këtë vendim.
“Shpjegimi ishte jashtëzakonisht i shkurtër, por edhe marroq, si zakonisht. ‘Glorofikimi’ i gjeneralit Ratko Mlladiq? Veçse nuk thotë kush çfarë ka glorifikuar. Dhe kur nuk mund të gjejnë asgjë konkrete, atëherë merren me nënkalime, mbikalime. Me gjasë duhet të ndalonim njerëzit të dilnin [në pritje të mbetjeve mortore të Mlladiqit], duhet të ndalonim varrimet, të ndërtonim varreza për qen”, ka deklaruar para gazetarëve.
Vizita e komesares së BE-së për zgjerimin në Beograd ishte planifikuar të realizohej më 9 shtator, vetëm dy ditë pas varrimit të Ratko Mlladiqit.
(r.m.)