MMPHI paralajmëron aksione kundër uzurpimeve dhe ndërtimeve pa leje në Liqenin e Batllavës dhe Liqenin e Badovcit

Prishtinë, 24 korrik 2026 – Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) ka paralajmëruar vazhdimin e aksioneve për lirimin e pronave të uzurpuara dhe të objekteve të ndërtuara pa leje në zonat me resurse ujore, si ai në zonën e Liqenit të Ujmanit.

Në një njoftim të publikuar në Facebook, ministria njoftoi se tashmë ka nisur trajtimin e kërkesave tjera të institucioneve dhe ndërmarrjeve publike për lirimin e pronave të uzurpuara apo të tjetërsuara në kundërshtim me ligjin.

“Për Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, mbrojtja e resurseve ujore përbën një prioritet strategjik kombëtar, ndaj ruajtja e pronave ujore është vendosur në qendër të angazhimit tonë institucional. Prandaj kemi nisur trajtimin e menjëhershëm të kërkesave nga institucionet dhe ndërmarrjet publike për lirimin e të gjitha pronave ujore të uzurpuara apo të tjetërsuara jashtligjshëm”, thuhet në njoftim.

Sipas ministrisë, aktualisht janë duke u shqyrtuar edhe rastet e uzurpimeve dhe ndërtimeve pa leje në zonat përreth Liqenit të Batllavës dhe Liqenit të Badovcit.

“Në kuadër të të njëjtit prioritet strategjik, po shqyrtohen me intensitet të lartë edhe kërkesat e tjera institucionale që lidhen me uzurpimet dhe ndërtimet pa leje sidomos rreth Liqenit të Batllavës dhe Liqenit të Badovcit, dy burime kyçe të furnizimit me ujë të pijshëm për qytetarët tanë. Inspektorati i MMPH-së po vijon identifikimin e plotë të shkeljeve në këto zona dhe, sapo të përfundojë ky proces, do të ndërmerren masa të menjëhershme ligjore për rikthimin e këtyre hapësirave në funksion të interesit publik”, thuhet në njoftim.

Ministria ka sqaruar me këtë rast edhe çështjen e aksionit të rrënimit të 16 vilave në zonën e Liqenit të Ujmanit. Ajo ka thënë se vilat ishin ndërtuar në prone të Ndërmarrjes Publike “Ibër – Lepenci” dhe aksioni është kryer në përputhje të plotë me procedurat ligjore.

“Aksioni i fundit në zonën e Liqenit të Ujmanit, ku me asistimin e Inspektoratit të MMPH-së dhe Policisë së Kosovës u rrënuan 16 objekte të ndërtuara pa leje në pronat ujore nën administrimin e N.P. ‘Ibër-Lepenci’, është vetëm një nga hapat e këtij plani. Të gjitha palët e përfshira në këtë aksion ishin njoftuar paraprakisht në përputhje të plotë me procedurat ligjore”, thuhet në njoftimin e MMPHI.

Atu thuhet se Inspektorati po “vazhdon monitorimin e rreptë të të gjitha zonave të mbrojtura dhe parqeve kombëtare” në Kosovë.

(r.m.)

Comment

*